Lajme

Lëvizje e madhe e NATO-s – ekspertët zbërthejnë prapaskenat: Zvogëlimi i trupave të KFOR-it sinjal pozitiv për Kosovën!

Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali i Forcave Ajrore amerikane, Alexus G. Grynkewich, tha se Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) gradualisht do të përshtatë forcën për mbështetjen e misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, gjatë vitit të ardhshëm, për shkak të, siç tha ai, përmirësimit të situatës së sigurisë në vend.

“NATO dhe KFOR-i janë të përkushtuar për sigurinë në Kosovë”, tha komandanti Grynkewich përmes një njoftimi më 12 qershor.

“Është ky angazhim që ka çuar në rritjen e stabilitetit, teksa organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë mundësi për të optimizuar madhësinë dhe pozicionimin e KFOR-it”, shtoi ai.

Pas më shumë se dy dekadash pranie ushtarake ndërkombëtare, e cila ka luajtur një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurisë që nga përfundimi i luftës së vitit 1999, sinjalet për reduktimin e forcave të NATO-s përbëjnë një moment të rëndësishëm në evolucionin e situatës së sigurisë në Kosovë.

Vendimi vjen në një kohë kur institucionet vendore të sigurisë kanë zgjeruar rolin dhe kapacitetet e tyre operacionale, ndërsa bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë ka vazhduar.

Vendimi ka nxitur diskutime mbi ndikimin që mund të ketë në stabilitetin afatgjatë dhe në procesin e konsolidimit të institucioneve të sigurisë në Kosovë. Megjithatë, fakti që NATO po konsideron zvogëlimin e pranisë së saj ushtarake përbën një tregues të rëndësishëm se Kosova po perceptohet gjithnjë e më shumë si një mjedis më i sigurt dhe më i aftë për të marrë përgjegjësi më të mëdha në garantimin e paqes dhe stabilitetit të saj.

E në lidhje me këtë vendim, për “Bota sot” folën ekspertët e sigurisë, të cilët vlerësojnë se reduktimi i pranisë së KFOR-it nuk nënkupton tërheqje apo ulje të angazhimit të NATO-s ndaj Kosovës, por më tepër një përshtatje të pranisë ushtarake me realitetin aktual në terren.

Racaj: Çdo vendim për rritjen apo zvogëlimin e forcave bazohet në vlerësimet operative të gjendjes së sigurisë në terren

Së pari, për këtë temë për “Bota sot” foli ish-gjenerali, Muhamet Racaj, i cili potencoi se, ky nuk është vendim poliitk i NATO-s, por vendim i bazuar më vlerësimet operative të gjendjes së sigurisë në terren, si dhe disa aspekteve tjera.

Image
Muhamet Racaj

“Vendimi i NATO-s për të shqyrtuar përshtatjen graduale të pranisë së KFOR-it në Kosovë duhet të analizohet ekskluzivisht nga prizmi ushtarak dhe i sigurisë, e jo si një vendim politik. KFOR-i është një mision ushtarak i NATO-s, ndërsa çdo vendim për rritjen apo zvogëlimin e forcave bazohet në vlerësimet operative të gjendjes së sigurisë në terren, analizat e inteligjencës dhe vlerësimet strategjike që realizohen në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat komanduese të Aleancës”.

Krahas kësaj, Racaj potencoi se, vendime të tilla NATO i merr bazuar në situatën në terren.

Për këtë, tha se, vendimi për zvogëlimin e trupave të KFOR-it nuk duhet parë si ulje e interesimit strategjik të Aleancës për sigurinë në Kosovë.

“Duhet theksuar se NATO ka vepruar në të njëjtën mënyrë edhe në të kaluarën. Pas tensioneve dhe incidenteve të dhunshme në veri të Kosovës, veçanërisht në Zubin Potok dhe komunat tjera veriore, Aleanca vendosi të rrisë numrin e trupave të KFOR-it për të garantuar stabilitetin dhe për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Në të njëjtën logjikë ushtarake, nëse vlerësohet se niveli i kërcënimeve është ulur dhe se situata është më stabile, NATO mund të vendosë reduktime të kufizuara të pranisë së saj, duke ruajtur njëkohësisht kapacitetet për reagim të shpejtë në rast të ndryshimit të rrethanave.

Megjithatë, çdo zvogëlim eventual i forcave nuk duhet interpretuar si tërheqje e NATO-s nga Kosova apo si ulje e interesimit strategjik të Aleancës për sigurinë e rajonit. KFOR-i mbetet garantuesi kryesor ndërkombëtar i një mjedisi të sigurt dhe të qetë në Kosovë, ndërsa mandati i tij mbetet i pandryshuar”, shtjelloi ai.

Mes tjerash, ish-gjenerali këtë e komentoi edhe në aspektin profesional ushtarak, e që sipas tij vendimi ka ardhur si shkak i vlerësimit pozitiv të situatës në vendin tonë, si dhe punës së institucioneve të sigurisë.

Për këtë, tha se e gjithë kjo, është bërë në kuadër të një procesi normal të menaxhimit ushtarak.

“Nga aspekti profesional ushtarak, ky vendim mund të konsiderohet si reflektim i vlerësimeve pozitive për gjendjen aktuale të sigurisë, funksionimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe mungesën e indikacioneve për kërcënime të menjëhershme ndaj stabilitetit. Megjithatë, duke pasur parasysh sfidat e vazhdueshme në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe ndjeshmërinë e mjedisit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, NATO do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet dhe, nëse paraqiten rreziqe të reja, ka kapacitetin dhe mekanizmat për të rritur sërish praninë e saj ushtarake.

Prandaj, ky duhet parë si një proces normal i menaxhimit ushtarak të forcave, i bazuar në vlerësime profesionale të sigurisë, dhe jo si një ndryshim i angazhimit strategjik të NATO-s ndaj Kosovës dhe stabilitetit rajonal”, përfundoi Muhamet Racaj për “Bota sot”.

Berisha: Vendimi i NATO-s, zhvillim pozitiv për Kosovën

Kurse, eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, vendimin e fundit të NATO-s e cilësoi si lajm pozitiv për shtetin tonë.

Ai tha se, kjo gjë tregon se siguria në Kosovë është më stabile se më parë dhe zvogëlimi i trupave vjen si rrjedhojë e bisdimit të progresit të arritur deri më tani.

Image
Fidair Berisha

“Sipas vlerësimit tim, vendimi i NATO-s është lajm pozitiv për Kosovën. Kjo tregon se aleatët tanë po e shohin situatën e sigurisë më stabile se më parë. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se nuk mund te ket sfida, veçanërisht në veri të vendit, por mendoj se është një tregues se institucionet tona kanë rritur kapacitetet e tyre. KFOR-i mbetet i rëndësishëm për sigurinë e Kosovës, por ulja e numrit të trupave mund të shihet si shenjë besimi ndaj progresit të arritur deri më tani”, deklaroi ai.

Po ashtu, Berisha konsideron se, mes tjerash ky është edhe një sinjal i besimi të ndërkombëtarëve ndaj institucioneve të Kosovës.

Për këtë, potencoi se vendimi i fundit nuk duhet të merret si një tërheqje e NATO-s nga Kosova.

Për mua, ky është edhe një sinjal i besimit që partnerët ndërkombëtarë po e tregojnë ndaj institucioneve të Kosovës, veçanërisht ndaj kapaciteteve të tyre për të ruajtur rendin, sigurinë dhe stabilitetin në vend. Kjo nuk do të thotë se sfidat janë tejkaluar plotësisht, por tregon se është arritur një nivel i caktuar pjekurie institucionale.

Megjithatë, nuk besoj se ky vendim duhet të interpretohet si një tërheqje e NATO-s nga Kosova. KFOR-i me praninë vazhdon të mbetet një garanci e rëndësishme e sigurisë për Kosovën dhe rajonin. Më shumë se një largim, unë e shoh këtë si një përshtatje të pranisë së tij me realitetin aktual të sigurisë”.

Në fund, eksperti shtoi se, ky vendim është shumë pozitiv për shtetin tonë, por që Kosova duhet të vazhdojë punën në forcimin e ligjit dhe sigurisë.

“Në përgjithësi, konsideroj se ky është një zhvillim pozitiv për Kosovën, sepse reflekton progresin e arritur ndër vite dhe një perceptim më të mirë të gjendjes së sigurisë nga aleatët tanë. Në të njëjtën kohë, mbetet e rëndësishme që institucionet të vazhdojnë të punojnë për forcimin e sundimit të ligjit, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë”, përmbylli Fidair Berisha për “Bota sot”.

Të Ngjashme