Lajme

Lidhja Demokratike në Mal të Zi: Qëndrimi ndaj Mandiqit ka qenë i qartë që nga fillimi

Lidhja Demokratike në Mal të Zi ka reaguar lidhur me iniciativën për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, duke theksuar se qëndrimi i saj ndaj tij nuk lidhet me iniciativën e DPS/PDS-së, por është i hershëm dhe parimor.

LD në MZ, përmes një kumtese për opinionin publik, ka thënë se e ndjek me vëmendje zhvillimin e fundit politik pas deklaratave dhe veprimeve publike të Mandiqit në lidhje me kriminelin e luftës Ratko Mladiq.

“Qëndrimi i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi ndaj Andrija Mandiqit dhe shumicës parlamentare ka qenë i qartë, parimor dhe koherent që nga dita e parë”, thuhet në kumtesë.

Sipas LD-së në MZ, kundërshtimi ndaj zgjedhjes së Mandiqit në krye të Kuvendit të Malit të Zi ka nisur që në momentin kur u bë e ditur marrëveshja për formimin e shumicës parlamentare me subjektet pro-serbe, me mbështetjen e Lëvizjes “Evropa Tani”, Partisë Boshnjake dhe një pjese të subjekteve politike shqiptare.

“LD në MZ e ka kundërshtuar publikisht dhe kategorikisht këtë zgjidhje politike”, thuhet në kumtesë.

Lidhja Demokratike thekson se çështja, sipas saj, nuk ka të bëjë vetëm me emrin e një personi, por me parimet mbi të cilat duhet të ndërtohen institucionet e një shteti demokratik, qytetar dhe evropian.

Këtë qëndrim, sipas kumtesës, LD në MZ ia kishte komunikuar edhe presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, gjatë takimit konsultativ për përcaktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë.

“Që atëherë kemi bërë të qartë se, nëse në shumicën parlamentare do të përfshiheshin subjektet pro-serbe dhe në krye të Kuvendit do të ishte Andrija Mandiq, LD në MZ nuk do ta mbështeste kandidaturën e Millojko Spajiqit për kryeministër”, thuhet në deklaratë.

LD në MZ ka theksuar se ky qëndrim nuk është marrë pas formimit të Qeverisë dhe as si reagim ndaj zhvillimeve të fundit, por ka qenë i përcaktuar para formimit të shumicës dhe Qeverisë.

“Ky nuk ishte një qëndrim i marrë pas formimit të Qeverisë dhe as reagim ndaj zhvillimeve të ditëve të fundit. Ishte qëndrimi ynë para se të formohej shumica dhe Qeveria”, thuhet në kumtesë.

Sa i përket iniciativës së DPS/PDS-së për shkarkimin e Mandiqit, LD në MZ ka bërë të qartë se nuk po i bashkohet kësaj nisme dhe se qëndrimi i saj nuk përbën mbështetje politike për DPS/PDS-në.

“LD në MZ nuk po i bashkohet iniciativës së DPS/PDS-së dhe nuk bëhet fjalë për mbështetje të ndonjë iniciative të tyre politike”, thekson partia.

Sipas saj, deklaratat dhe veprimet e fundit të Mandiqit në lidhje me Ratko Mladiqin, përfshirë nderimin e figurës së tij dhe shprehjen e ngushëllimeve familjes së tij, vetëm sa kanë përforcuar shqetësimet e ngritura më herët.

“Ne nuk kemi nevojë të presim iniciativën e DPS/PDS-së për të konstatuar atë që kemi thënë para formimit të shumicës: Andrija Mandiq nuk është dashur të zgjidhej kryetar i Kuvendit të Malit të Zi”, thuhet në kumtesë.

LD në MZ i ka bërë gjithashtu thirrje deputetëve shqiptarë dhe boshnjakë në Kuvendin e Malit të Zi që të mbajnë një qëndrim të qartë ndaj veprimeve të Mandiqit.

“Sot nuk kërkohet prej tyre një qëndrim partiak. Kërkohet një qëndrim parimor, njerëzor dhe moral”, thuhet në deklaratë.

Në kumtesë, LD në MZ ka theksuar se “nuk mund të ketë ekuivalencë morale mes viktimave dhe atyre që glorifikojnë përgjegjësit e krimeve”.

“Për ne, qëndrimi i drejtë është ai që mbron dinjitetin e viktimave, të vërtetën historike dhe drejtësinë, dhe që kundërshton çdo përpjekje për rehabilitimin apo glorifikimin e kriminelëve të luftës”, thuhet më tej.

Në fund, Lidhja Demokratike në Mal të Zi ka deklaruar se nuk është pjesë e shumicës parlamentare, nuk ka marrë pjesë në formimin e Qeverisë dhe nuk mban përgjegjësi për vendimet e saj.

“Ne nuk e kemi ndryshuar qëndrimin dhe nuk po kërkojmë sot të përcaktojmë ‘anën’. Ne e kemi përcaktuar qëndrimin tonë që në fillim”, përfundon kumtesa.

LD në MZ ka përsëritur se mbetet e përkushtuar ndaj një Mali të Zi demokratik, qytetar, multietnik dhe të orientuar drejt Bashkimit Evropian.

Të Ngjashme