Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës të ndërmarrin veprime konkrete lidhur me funksionimin dhe mandatin e kësaj gjykate.
Përmes një postimi në Facebook, Limaj e ka cilësuar vendimin si një padrejtësi tjetër, ndërsa ka ngritur shqetësime për standardet e drejtësisë që, sipas tij, po administrohet në emër të Kosovës.
“Edhe një padrejtësi, edhe një arsye më shumë për të ngritur seriozisht çështjen e drejtësisë që po administrohet në emër të Kosovës”, ka shkruar Limaj.
Ai ka theksuar se drejtësia nuk kufizohet vetëm në shpalljen e aktgjykimeve, por kërkon respektimin e standardeve të njëjta për të gjitha palët.
“Drejtësia nuk është vetëm shpallja e një aktgjykimi. Ajo kërkon paanshmëri, integritet, barazi të palëve dhe zbatim të standardeve të njëjta për të gjithë”, ka deklaruar ai.
Sipas Limajt, çdo proces gjyqësor duhet të garantojë të drejtën e mbrojtjes, shqyrtimin e paanshëm të provave dhe respektimin e plotë të standardeve të një gjykimi të drejtë.
Ai ka kërkuar që shqetësimet për mënyrën e zhvillimit të proceseve gjyqësore në Hagë të mos anashkalohen, duke bërë thirrje për angazhim institucional.
“Kosova nuk mund të mbetet vetëm spektatore. Institucionet tona duhet të marrin përgjegjësinë që u takon. Kuvendi duhet të veprojë, ligji duhet të rikthehet në fuqi dhe duhet të hapet një debat serioz për të ardhmen dhe mandatin e kësaj Gjykate”, ka shkruar Limaj.
Ai ka përfunduar duke theksuar se Kosova ka nevojë për drejtësi të vërtetë, dinjitet dhe institucione që mbrojnë interesat e shtetit.
Reagimi i Limajt vjen pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dënuan Hashim Thaçin me 17 muaj burgim në rastin që lidhet me pengimin e administrimit të drejtësisë.
