Lajme

‘Lotë krokodili’ për Kosovën dhe lojë për pushtet – Tali ‘godet’ Vuçiqin: Fundi i tij vetëm çështje kohe!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po vazhdon të përdorë retorikë përballjeje ndaj Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke i paraqitur këto shtete si burim presioni ndaj Serbisë.

Kjo qasje nuk është e re, por pjesë e një strategjie të vazhdueshme politike që synon mobilizimin e opinionit të brendshëm dhe forcimin e pozitës së tij si lider. Në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, kjo retorikë mund të shërbejë edhe për të pozicionuar Serbinë në raport me zhvillimet ndërkombëtare, duke tentuar të përfitojë nga tensionet rajonale dhe globale.

E për këtë çështje, për “Bota sot” foli Driton Tali, i cili tha se Vuçiq këto deklarata po i përdor për ta mbajt pushtetin, pasi dihet se zgjedhjet atje janë shumë afër të mbahen.

Madje, ai përmendi edhe faktin se, presidentit serb po i zbehet shpresa te Rusia, pasi kjo e fundit i ka ‘tradhtuar’ disa aleatë të saj, siç janë Venezuela e Irani.

“Vuçiqi të gjitha këto deklarata i jep duke e pasur parasysh së pari mbajtjen e pushtetit sepse këtë vit do të ketë zgjedhje në Serbi dhe opozita goxha është forcuar. E konform pushtetit, apo konsumit të brendshëm, sidomos është koshient për “Srpski Svetin” (Kosovën, Bosnjën dhe Malin e Zi) si dhe gjeopolitikën, ku shpresa e tij se do t’i vinte ndihma nga BRIKS sa ma shumë që po kalon koha, aq më shumë ajo shpresë po ju zbehet. Sidomos pritjet në Rusinë, e cila i la n’lloq Sirinë, Venezuelën tani edhe Iranin e nesër edhe Kubën”.

Për këtë, ai këtë e vlerëson vetëm si një viktimizim nga ana e Vuçiqit.

Madje, sipas tij, fundi i Vuçiqit është shumë afër, pasi beson se votuesit serbë po e largojnë nga pushteti dhe atë e pret fati i njëjtë si me Orbanin.

“Pra ky viktimizim dhe këto “lotë krokodili” që i derdhë Vuçiqi janë kombinim i politikës së brendshme (ruajtjes së pushtetit) pastaj politikës rajonale (sidomos ndaj Kosovës dhe Bosnjes) dhe lojës gjeopolitike (balancimin në mes fuqive) që ai mendon se po e luan.

Unë besoj se Vuçiqi në të gjitha sferat ka dështuar vetëm është çështje kohe, kur votuesit e Serbisë ta shkelmojnë jashtë pushtetit ashtu siç bënë votuesit hungarezë me Orbainin.

Pra siç thuhet “pshtim s’ka veç vonim“”, përmbylli Driton Tali për “Bota sot”.

Të Ngjashme