Lajme

“Luftërat moderne kanë dalë jashtë kontrollit, asnjë superfuqi s’mund ta kontrollojë më krizën globale”

Prof. Dr. Muhamet Racaj, gjeneral major në pension, vlerëson se shekulli XXI po përjeton transformimin më të madh të konceptit të luftës dhe sigurisë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

“Luftërat moderne nuk zhvillohen më vetëm në fronte klasike ushtarake, por edhe në ekonomi, teknologji, media, hapësirë kibernetike, energjetikë, inteligjencë artificiale, diplomaci dhe kontroll psikologjik të popullsive”, deklaroi Racaj.

Sipas tij, pavarësisht zhvillimit të doktrinave moderne ushtarake dhe teorive strategjike, realiteti ndërkombëtar dëshmoi se asnjë teori e luftës nuk arriti të garantojë stabilitet global.

Ai theksoi se konfliktet në Ukrainë, Lindjen e Mesme, Indo-Paqësor, Afrikë dhe Ballkanin Perëndimor tregojnë qartë se rendi global i sigurisë po hyn në një fazë të rrezikshme të fragmentimit strategjik.

“Po shembet edhe besimi se ekziston një superfuqi e vetme ose mekanizëm ndërkombëtar i aftë për të kontrolluar krizën globale”, u shpreh Racaj.

Duke folur për evolucionin e luftërave, ai tha se luftërat e gjeneratës së parë karakterizoheshin nga përballja lineare e ushtrive në terrene të hapura, ndërsa gjenerata e dytë solli industrializimin e luftës përmes artilerisë masive, tankeve dhe logjistikës së avancuar.

Sipas Racajt, gjenerata e tretë lidhet me konceptin e “Blitzkrieg”-ut gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku strategjia synonte depërtimin e shpejtë dhe paralizimin e komandës kundërshtare.

Ai potencoi se në fund të shekullit XX dhe fillim të shekullit XXI u shfaq lufta hibride dhe asimetrike, e njohur si lufta e gjeneratës së katërt.

Image
Muhamet Racaj

“Kjo luftë përfshin aktorë jo-shtetërorë, organizata terroriste, kompani private ushtarake, luftë informative dhe operacione psikologjike”, deklaroi ai.

Racaj shtoi se karakteristikat kryesore të kësaj lufte janë lufta hibride, propaganda, terrorizmi global, lufta kibernetike, destabilizimi politik dhe ekonomik, manipulimi mediatik dhe përdorimi i inteligjencës artificiale.

“Në këtë fazë, kufiri ndërmjet paqes dhe luftës pothuajse është zhdukur”, tha ai.

Duke folur për luftërat e gjeneratës së pestë, Racaj u shpreh se ato bazohen në dominimin teknologjik, kontrollin e informacionit, inteligjencën artificiale, dronët autonomë dhe luftën strategjike kibernetike.

“Objektivi nuk është vetëm pushtimi territorial, por kontrolli i ekonomisë globale, energjisë, sistemeve financiare dhe stabilitetit psikologjik të popullsive”, deklaroi ai.

Racaj tha se në dekadat e fundit janë zhvilluar një sërë doktrinash moderne strategjike, përfshirë doktrinën e parandalimit strategjik, luftës hibride, luftës kibernetike dhe strategjitë e presionit ekonomik.

“Megjithatë, asnjëra nga këto doktrina nuk arriti të parandalojë destabilizimin global. Përkundrazi, ato prodhuan një sistem ndërkombëtar më të rrezikshëm dhe më të paqëndrueshëm”, theksoi ai.

Sipas tij, teoritë moderne të luftës kanë dështuar për shkak të disa faktorëve kryesorë.

“Globalizimi krijoi varësi ekonomike, por jo stabilitet politik. Teknologjia nuk e eliminoi luftën, por e bëri atë më të paparashikueshme”, deklaroi Racaj.

Ai shtoi se organizatat ndërkombëtare kanë humbur autoritetin real, ndërsa fuqitë e mëdha nuk kanë më kapacitet absolut kontrolli.

“Lufta në Ukrainë, tensionet SHBA-Kinë, konfliktet Izrael-Iran dhe destabilizimi në Lindjen e Mesme tregojnë se bota po hyn në një rend multipolar të paqëndrueshëm”, u shpreh ai.

Racaj vlerëson se sot nuk ekziston më një superfuqi absolute e aftë të garantojë rendin global të sigurisë.

“Në realitet, bota po hyn në një periudhë të anarkisë strategjike, ku balancat tradicionale të fuqisë po zëvendësohen nga konflikte të shpërndara dhe të paparashikueshme”, deklaroi ai.

Sipas tij, lufta moderne nuk ka më vijë fronti klasike, pasi ajo zhvillohet çdo ditë përmes informacionit, ekonomisë, mediave sociale, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.

“Paradoksi më i madh i shekullit XXI është se sa më shumë u zhvilluan teoritë moderne të luftës dhe teknologjitë ushtarake, aq më i pasigurt u bë rendi botëror”, tha Racaj.

Në fund, ai paralajmëroi se bota po hyn në një fazë të re historike, ku siguria kolektive do të varet jo vetëm nga fuqia ushtarake, por edhe nga aftësia e shteteve për të ndërtuar mekanizma të rinj bashkëpunimi strategjik, teknologjik dhe diplomatik.

“Në të kundërtën, shekulli XXI rrezikon të mbetet shekulli i konflikteve të pafundme dhe krizave të pakontrollueshme globale”, përfundoi Prof. Dr. Muhamet Racaj.

Të Ngjashme