Analisti politik Luan Gacaferi ka vlerësuar se përplasja e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk ka në qendër kryetarin Lumir Abdixhiku, por presidenten Vjosa Osmani.
Në një shkrim të tij, Gacaferi ka thënë se Abdixhiku është vetëm “dëm anësor”, ndërsa objektivi kryesor i grupit që ai i quan “rebelët” është Osmani.
Sipas tij, ky grupim do ta toleronte Abdixhikun deri në kuvendin e rregullt zgjedhor të LDK-së, që pritet të mbahet vitin e ardhshëm, me synimin që më pas ta largojë nga drejtimi i partisë.
Gacaferi pretendon se situata ka ndryshuar për shkak të afrimit të Abdixhikut me Vjosa Osmanin. Sipas tij, Abdixhiku, duke e ditur se mund të mos ketë jetëgjatësi politike në krye të LDK-së, po e përgatit Osmanin si kandidate serioze për drejtimin e partisë në kuvendin e ardhshëm.
“Ndryshimi i ekuacioneve vjen nga faktori ‘Osmani’”, ka shkruar Gacaferi, duke shtuar se kjo situatë ka alarmuar eksponentët që ai i quan “rebelë”, të cilët e shohin Osmanin si rivale serioze për postin e kryetarit.
Ai ka pretenduar gjithashtu se kandidatura e Bekim Sejdiut për president është propozuar nga Osmani dhe jo nga Abdixhiku, duke e konsideruar këtë si dëshmi të forcimit të ndikimit politik të saj.
Sipas Gacaferit, përballë kësaj situate, brenda LDK-së ka shpërthyer një betejë mes dy grupeve. Në njërën anë ai rendit Lutfi Hazirin, Kujtim Shalën, Arben Gashin, Armend Zemajn, Avdullah Hotin dhe Hykmete Bajramin, ndërsa në anën tjetër Lumir Abdixhikun, Vjosa Osmanin, Paris Gurin dhe Jehona Lushaku-Sadriun.
“Ka plasur një luftë e hapur mes gjeneratave”, ka shkruar ai.
Gacaferi vlerëson se rezultati i kësaj përplasjeje mbetet i paparashikueshëm, por sipas tij, “rebelët” kanë gjasa më të mëdha për të triumfuar.
Megjithatë, ai paralajmëron se një fitore e këtij grupi mund të ketë kosto të lartë elektorale për LDK-në. Sipas tij, nëse Abdixhiku dhe Osmani e humbin këtë betejë, mund të krijohet një fraksion i ri politik, të cilin e krahason me një “Lista Vjosa 2”, duke pretenduar se kjo do t’i shkëpuste LDK-së një pjesë të votuesve të moderuar.
Reagimi i plotë:
Vjosa është shënjestra, Lumiri është vetëm “Collateral damage”( Dëmi anësor)
Unë ju garantoj që Lumir Abdixhiku nuk është shënjestra e vërtetë. Objekti kryesor ku “rebelët” e LDK-së po godasin në fakt është Vjosa Osmani!
“Rebelët” e LDK-së do ta duronin pa asnjë problem edhe për ca kohë Abdixhikun, konkretisht deri në kuvendin e rregullt zgjedhor të partisë që pritet të mbahet vitin e ardhshëm. Për këtë grupim, ky është problemi më i vogël ta tolerojnë lidershipin aktual edhe për pak muaj, me qëllimin e prerë për ta rrëzuar sigurt 100% nga posti i kryetarit në kuvendin e rregullt zgjedhor qe duhet të mbahet vitin e ardhshëm!
Ndryshimi i ekuacioneve vjen nga faktori “Osmani” sepse Abdixhiku e ka afruar shumë Vjosën, duke e ditur se ai vetë s’do të ketë jetëgjatësi politike në krye të LDK-së, ka zgjedhur jo pa qëllim që ta përgatisë Vjosa Osmanin si një kandidate serioze për kryetare të partisë në kuvendin e ardhshëm!
Pikërisht ky skenar ka alarmuar eksponentët “rebelë”, të cilët po e shohin Osmanin si një rivale tejet serioze, e cila ka gjasa reale t’ua marrë postin e kryetarit nga duart.Prandaj, kjo është edhe arsyeja e vërtetë dhe kryesore pse ka shpërthyer kjo luftë politike brenda LDK-së. Ata e dinë mirë që, nëse Vjosa Osmani merr timonin e partisë pas Abdixhikut, pozicionet e tyre jo vetëm qe do zbehen por me gjasë edhe do rrezikojnë seriozisht të përfundojnë në pozicion jashtë loje!
Është e qartë se ajo do të sjellë njerëzit e saj të besueshëm nga Presidenca, si dhe figurat e reja që u përfshinë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e fundit.Gjithashtu, “rrebelet” e dinë saktë se emri i kandidatit për president të Kosovës, z. Bekim Sejdiu, është propozuar nga vetë Osmani dhe jo nga Abdixhiku. Dhe ky fakt ja’u ka bërë të qartë “rebelëve” se fuqia politike e saj po vjen duke u forcuar dita-ditës e më shumë!
Përballë kësaj situate, “rebelëve” të LDK-së, nuk ju ka mbetur rrugë tjetër veçse t’i hyjnë një beteje “All or nothing”(gjithçka ose asgjë) ose t’i eliminojnë politikisht të dy, Osmanin dhe Abdixhikun, për të rikthyer kontrollin mbi LDK-në, ose të pajtohen me humbjen përfundimtare të ndikimit të tyre.
Më thjeshtë, ka plasur një luftë e hapur mes gjeneratave Lutfi Haziri, Kujtim Shala, Arben Gashi, Armend Zemaj, Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami në njërën anë, dhe në anën tjetër taborri i përbërë nga Lumir Abdixhiku, Vjosa Osmani, Paris Guri dhe Jehona Lushaku-Sadriu!
Ndonëse rezultati i kësaj beteje mbetet i paparashikueshëm, e sigurt është se nuk do të jetë e lehtë për asnjërën palë!
Megjithatë, për mendimin tim personal, gjasat më të mëdha për të triumfuar në këtë luftë të brendshme i ka grupi i “rebelëve”, por kjo mund të vijë me një kosto jashtëzakonisht të lartë elektorale kurdo qe të shkojmë në zgjedhje qofshin ato të jashtzakonshme apo qofshin ato të rregullta pas katër vitesh. Sepse nëse dyshja Abdixhiku-Osmani e humb luftën kundër “rrebeleve” skena politike mund të përballet me krijimin e një fraksioni të ri (një lloj “Lista Vjosa 2”), gjë që do t’i shkëpuste LDK-së mijëra votues të moderuar, të cilët nuk pajtohen me rikthimin e vijës së vjetër apo të “pensionistëve” të partisë.
