Lajme

“Nuk e kam idenë”, Plarent Ndreca flet për regjistrimin e bisedës Veliaj-Gogu në burgun e Fierit

Plarent Ndreca, avokati i Erion Veliajt ka folur sërish sot mbrëmjen e sotme për përplasjen e kryebashkiakut të Tiranës me kryeministrin Edi Rama. Ndreca tha se po vlerësojnë edhe mundësinë e një kallëzimi ndaj ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.

“Jemi duke e vlerësuar. Nuk kemi dalë ende në konkluzion”, tha Ndreca gjatë një interviste në emisionin Zonë e Lirë të Arjan Canit.

Sipas avokatit të Veliajt, Gogu ka shkelur ligjin me vajtjen në burg për të takuar një të pandehur dhe të qëndrojë një orë e gjysmë me të në zyrën e drejtorit të burgut.

I pyetur nëse ka mundësi që biseda Veliaj-Gogu të jetë e regjistruar, Ndreca dha këtë përgjigje.

“Nuk e kam idenë. Do të ishte shumë mirë të ishte e regjistruar. E vetmja mundësi që të jetë e regjistruar biseda, është që ta ketë regjistruar administrata e burgut apo zoti Gogu. Unë nuk e kam ende atë provë, ai mbase”, deklaroi Ndreca duke përjashtuar regjistrimin nga Erion Veliaj.

Në vijim të intervistës, avokati i Veliajt tha se nuk ndien frikë nga kërcënimet apo presionet që i ka bërë Edi Rama.

“Nuk kam asnjë frikë sepse jam shumë i qartë për cfarë kam bërë dhe cfarë nuk kam bërë. Nuk ndiej frike. Bisedat janë pjesë e një komunikimi që nuk është normal për Kryeministrin e një vendi”, tha Ndreca.

Më tej ai tregoi se prej dy muajsh Erion Veliaj lëviz me patericë në burg pasi dëmtoi këmbën duke luajtur futboll teksa ishte ende në paraburgimin e Durrësit. ©LAPSI.al

Të Ngjashme