Kuriozitete

Lushnjë/ Kapet me 65 doza kokainë në makinë, arrestohet 45-vjeçari. Sekuestrohen edhe armë gjahu dhe një shumë parash

Një 45-vjeçar është arrestuar në Lushnjë, pasi u kap në flagrancë duke transportuar 65 doza kokaine me automjet, të cilat dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen.

Policia njofton se operacioni i koduar “Gjurmimi” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për një person që shiste lëndë narkotike në doza.

Në pranga përfundoi shtetasi E. M., 45 vjeç, banues në fshatin Krutje e Poshtme, Lushnjë. Ai u ndalua nga shërbimet e Policisë teksa qarkullonte me automjet në fshatin ku banonte.

Gjatë kontrollit të automjetit dhe banesës së tij, policia gjeti dhe sekuestroi 65 doza kokaine, me peshë totale 156 gramë, një armë gjahu dhe 105 fishekë, dy peshore elektronike, një aparat celular, automjetin me të cilin lëvizte, si dhe një shumë parash në euro dhe lekë, që dyshohet se është përfituar nga shitja e lëndëve narkotike.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.

Të Ngjashme