Kuriozitete

Maksimizim – ‘Maxxing’, fjala e vitit 2026 nga Dictionary.com, ja çfarë kuptimi ka

Amerikanët i janë përkushtuar plotësisht përdorimit të fjalës “maxxing”, duke e bërë atë Fjalën e Vitit 2026 për Dictionary.com.

Shkurtim i fjalës maximising (maksimizim), termi “mund të përdoret më vete ose të shtohet në fund të çdo fjale për të përcjellë idenë se po bën diçka në masën më të plotë të mundshme ose po e optimizon atë sa më shumë që të jetë e mundur”, tha Dictionary.com në një deklaratë.

Ky është një ndryshim i madh krahasuar me dy vjet më parë, kur faqja, pas analizimit të trendeve të rrjeteve sociale në SHBA, lajmeve dhe të dhënave të kërkimeve, zgjodhi fjalën demure si fjalën e vitit. Fjala e vitit të kaluar ishte “67”.

“Maxxing është shfaqja gjuhësore e një kulture që po bëhet gjithnjë e më e preokupuar me nxjerrjen e maksimumit nga gjithçka”, tha Steve Johnson, drejtor i leksikografisë në Dictionary Media Group.

Dictionary.com zbuloi se mediat digjitale e përdorën fjalën “maxxing” gati 19 herë më shumë në gusht të vitit 2026, krahasuar me mesataren mujore të vitit 2025. Faqja shqyrtoi gjithashtu fjalët affordability (përballueshmëria ekonomike), data centre (qendër të dhënash), odyssey (odise) dhe formën e shkurtuar të fjalës uncle (xhaxha/dajë), “unc”, si kandidate të mundshme për fjalën e vitit.

Në rrjetet sociale, shumë njerëz të Gjeneratës Z dhe më të rinj se ata — persona nën moshën 30 vjeç — publikojnë gjerësisht përpjekjet e tyre përmes maxxing, me synimin për të arritur përsosmërinë në fusha të ndryshme.

Influencuesit që përqendrohen te fitnesi dhe mirëqenia publikojnë për proteinmaxxing dhe fibermaxxing (rritjen në maksimum të konsumit të proteinave dhe fibrave). Ata që i kushtojnë gjithë vëmendjen e tyre përmirësimit të zakoneve të gjumit thonë se po bëjnë sleepmaxxing (optimizimin maksimal të gjumit).

Influencuesi Clavicular ka fituar mijëra ndjekës, ndërsa dokumenton përpjekjet e tij ekstreme përmes looksmaxxing — përpjekjes për të përmbushur një grup kriteresh të përcaktuara për të qenë tërheqës, ku rëndësi e veçantë u kushtohet vijës së nofullës, syve dhe fizikut.

“Çfarëdo që të jemi duke bërë, duam ta çojmë edhe më tej”, tha Johnson. “Por përdorimet e tij gjithnjë e më të gjera tregojnë gjithashtu se si po reagojnë njerëzit ndaj këtij impulsi. Disa e përqafojnë atë. Disa e ekzagjerojnë për të qeshur. Të tjerë e përmbysin plotësisht kuptimin e tij, për të përshkruar tërheqjen nga ndjekja e pandërprerë e gjithnjë e më shumë gjërave.”

Njerëzit luanin me termin dhe me idenë që ai përfaqëson për dekada, përpara se Clavicular të fillonte të publikonte video.

Për shembull, në këngën hapëse të serialit televiziv të viteve 1990, The Fresh Prince of Bel-Air, Will Smith rep-on: “Chillin’ out, maxin’, relaxin’ all cool.”/BBC

Të Ngjashme