Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit A. K., 30 vjeç, banues në Maliq, nën akuzën e veprës penale “Kanosja”.
Procedimi u inicua menjëherë pas kallëzimit të bërë nga shtetasi R. R., 69 vjeç. Sipas të dhënave zyrtare, 30-vjeçari dyshohet se ka kanosur me mesazh në rrjetet sociale 69-vjeçarin, i cili është babai i gazetares me iniciale I. R. Sipas hetimeve paraprake, kanosja ndaj shtetasit R. R. dyshohet se ka ardhur për shkak të detyrës së vajzës së tij.
“Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale,”, njoftuan strukturat e Policisë.
Përmes një deklarate, Policia e Shtetit rikonfirmoi angazhimin e saj për garantimin e sigurisë së gazetarëve dhe mbrojtjen e tyre gjatë ushtrimit të detyrës, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
