Lajme

Mandatimi i Kurtit nga presidentja në detyrë, flet Vigan Qorrolli

Kandidati për deputet nga LVV, Vigan Qorrolli, ka deklaruar se nuk ekziston asnjë ndalim kushtetues që ushtruesi i detyrës së Presidentit të caktojë mandatarin për kryeministër.

Në një shkrim të tij, Qorrolli thekson se kompetencat e Presidentit gjatë ushtrimit të detyrës nuk “zhduken”, por vazhdojnë sipas Kushtetutës deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Ai shton se interpretimet që synojnë të kufizojnë këtë kompetencë janë, sipas tij, të pabazuara dhe mund të krijojnë bllokadë institucionale.

Qorrolli vlerëson se pas konstituimit të Kuvendit dhe propozimit nga subjekti fitues, ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu, mund të mandatojë liderin e LVV-së, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë, duke e cilësuar këtë si zbatim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe vullnetit qytetar

Shkrimi i Qorrollit:

ALBIN KURTI NUK BLLOKOHET ME INTERPRETIME TË SAJUARA!

I.

Po ndërtohet një tezë sipas së cilës ushtruesi i detyrës së Presidentit nuk mund ta caktojë mandatarin për Kryeministër, sikur funksioni presidencial të pushonte së ekzistuari pikërisht në çastin kur shteti ka më së shumti nevojë për vazhdimësi institucionale; mirëpo, ky ndalim nuk gjendet askund në Kushtetutë, nuk është shqiptuar në dispozitivin e aktgjykimit të fundit dhe nuk mund të krijohet më pas me interpretim politik.

II.

Ushtruesi i detyrës nuk është dekor protokollar dhe as President me gjysmën e kompetencave. Ai e ushtron funksionin presidencial përkohësisht, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri, ndërsa neni 90 nuk ia heq kompetencën për caktimin e mandatarit. Nenet 84 dhe 95 nuk flasin për privilegjin personal të një individi, por për një detyrë kushtetuese të institucionit të Presidentit: që pas zgjedhjeve, vullneti i qytetarëve të shndërrohet në shumicë parlamentare dhe shumica parlamentare në Qeveri.

III.

Nuk mund të merret një paragraf që trajton shpërndarjen e Kuvendit dhe të shndërrohet në ndalim për formimin e Qeverisë. Aktgjykimet lexohen sipas objektit të çështjes, arsyetimit dhe dispozitivit të tyre, jo sipas dëshirës për t’u shtuar atyre fjali që Gjykata nuk i ka shkruar. Kushtetuta nuk ndryshohet me koment, ndërsa një kufizim i kompetencës nuk mund të lindë nga hamendja, sidomos kur pasoja e tij është bllokimi i institucioneve.

IV.

Pas konstituimit të Kuvendit dhe propozimit nga subjekti fitues, ushtruesja e detyrës së Presidentit znj. Albulena Haxhiu mund ta caktojë Albin Kurtin mandatar për formimin e Qeverisë. Ky është zbatim tekstual i normës kushtetuese; nuk është assesi shmangie nga Kushtetuta, por ruajtje e vazhdimësisë së saj; mbi të gjitha është çështje e respektimit të vullnetit demokratik të qytetarëve.

V.

Kushtetuta nuk është instrument për prodhimin e bllokadës. Ajo është themeli mbi të cilin vullneti i popullit bëhet institucion dhe institucioni bëhet shtet.

Të Ngjashme