Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar të martën një takim me Sekretarin e Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Haluk Görgün, në margjinat e panairit ndërkombëtar “SAHA EXPO 2026”.
Në kuadër të angazhimeve për forcimin e partneritetit strategjik, Maqedonci ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për ndërtimin e themeleve të industrisë së mbrojtjes në Kosovë, me fokus të veçantë projektin e fabrikës së municionit, e cila pritet të ndërtohet gjatë këtij viti si markë 100% vendore.
Po ashtu, palët kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit me kompanitë turke të industrisë së mbrojtjes, prokurimet e ardhshme dhe nismat për bashkëprodhime të mundshme.
Maqedonci ka njoftuar se së bashku me Sekretarin Görgün ka takuar edhe Zëvendëspresidentin e Turqisë, Cevdet Yılmaz, si dhe CEO-n e kompanisë Baykar, Haluk Bayraktar, njëherësh themelues i “SAHA EXPO”, me të cilët kanë vizituar disa stenda të kompanive pjesëmarrëse.
“Marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, të ndërtuara ndër vite mbi besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë, po thellohen vazhdimisht, duke u shndërruar në një shtyllë të rëndësishme për garantimin e paqes, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon”, ka deklaruar ai.
