Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar të hënën në Brdo pranë Kranjit, në Slloveni, një takim bilateral me ministrin e Mbrojtjes së Sllovenisë, Valentin Hajdinjak.
Maqedonci ka bërë të ditur se gjatë takimit është theksuar mbështetja e Sllovenisë për Kosovën në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.
“E njoftova Ministrin Hajdinjak për situatën rajonale të sigurisë, si dhe për arritjet e Republikës së Kosovës në fushën e mbrojtjes, përfshirë ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe synimin për zhvillimin e Industrisë së Mbrojtjes”, ka shkruar Maqedonci.
Sipas tij, Hajdinjak ka shprehur vullnet për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, si dhe për vazhdimin e kontributit të Sllovenisë në sigurinë në Kosovë përmes pjesëmarrjes në KFOR.
“Thellimi dhe zgjerimi i raporteve të Republikës së Kosovës me Republikën e Sllovenisë në fushën e mbrojtjes është i një rëndësie të veçantë”, ka thënë Maqedonci, duke përmendur rolin e Sllovenisë si vend anëtar i NATO-s dhe BE-së dhe mbështetjen e saj për Kosovën.
