Lajme

“Marshi për Liri”/ Mbahet tubimi në Prishtinë, mijëra qytetarë mblidhen në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Mijëra qytetarë janë mbledhur këtë të premte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku ka nisur “Marshi për Liri”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Tubimi, i organizuar nga iniciativa “Liria ka emër”, zhvillohet në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Në mesin e pjesëmarrësve është edhe Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili ka mbërritur në marsh i shoqëruar nga deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në Prishtinë kanë udhëtuar qytetarë nga mbarë Kosova, por edhe shqiptarë nga Shqipëria dhe diaspora. Dhjetëra pjesëmarrës nga Shqipëria kanë kaluar kufirin përmes Morinit, ndërsa në marsh janë parë edhe shqiptarë nga Zvicra dhe vende të tjera.

Në shesh janë bashkuar edhe përfaqësues të partive politike. Të pranishme janë Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, ndërsa pjesë e aktivitetit është edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje është përfaqësuar në marsh. Mes pjesëmarrësve janë deputetët Arton Konushevci, Adnan Rrustemi, Valon Hoti dhe Salih Zyba.

Për garantimin e mbarëvajtjes së aktivitetit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të posaçme në qarkullim. Përkohësisht janë bllokuar rrugët “Agim Ramadani”, “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymberi”.

Organizatorët kanë mundësuar gjithashtu transport falas nga qytetet e Kosovës për qytetarët që duan t’i bashkohen marshimit. Ndërkohë, transporti publik dhe parkingjet në Prishtinë janë pa pagesë gjatë ditës së sotme.

Aktgjykimi për katër ish-krerët e UÇK-së pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë.

Të Ngjashme