Lajme

Mashtrimi përmes “Call Center”, të dyshuarit përfundojnë në paraburgim për një muaj

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Penale, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe ka caktuar masën e paraburgimit për nëntë të pandehurit: T.S., D.M., D.H., R.H., P.R., A.P., F.Z., D.H. dhe B.E. Secili prej tyre do të mbahet në paraburgim për një muaj.

Ata akuzohen për veprën penale të mashtrimit dhe mashtrimit kompjuterik. Vendimin e mori gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

Sipas komunikatës, gjykata e ka vlerësuar paraburgimin si masë të domosdoshme për dy arsye. E para është rreziku që të pandehurit të arratisen, pasi tre prej tyre janë shtetas të Gjermanisë dhe veprimet e tyre tregojnë udhëtime të shpeshta jashtë vendit.

E dyta është rreziku që ata të ndikojnë në procedurë, duke fshehur, ndryshuar ose asgjësuar prova materiale, ose duke ndikuar te të dëmtuarit, dëshmitarët apo bashkëpjesëmarrësit.

Ekziston dyshimi i bazuar se, gjatë periudhës nga viti 2026 deri më 23 tetor 2026, të pandehurit kanë vepruar në Prishtinë, në lokacione të ndryshme të përshtatura si qendra thirrjesh (call center). Ata kanë punuar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar, me role të ndara, për të përfituar pasuri në mënyrë të kundërligjshme. Sipas komunikatës, ata kanë paraqitur fakte të rreme, i kanë nxitur të dëmtuarit, shtetas të huaj, të kryejnë veprime që dëmtonin pasurinë e tyre, dhe janë paraqitur si përfaqësues të kompanive të investimeve financiare.

Të Ngjashme