Kuriozitete

Policia e Shtetit apel protestuesve: Distancohuni nga personat e maskuar dhe aktet e dhunës

Policia e Shtetit ka nxjerrë një njoftim zyrtar lidhur me ecurinë e protestës së sotme, ku bën me dije se trupat e rendit janë përballur me situata të përsëritura rreziku gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas deklaratës zyrtare, “gjatë protestës së ditës së sotme, punonjësit e Policisë së Shtetit janë përballur me akte të vazhdueshme dhune, të cilat rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe sigurinë e qytetarëve”.

Në këtë kuadër, struktura e ruajtjes së rendit “u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestë të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, të cilët sulmojnë punonjësit e Policisë dhe institucionet, si dhe dëmtojnë pronën publike e private”.

Përveç orientimit drejtuar pjesëmarrësve në tubim, autoritetet u janë drejtuar edhe banorëve të kryeqytetit për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të incidenteve, duke kërkuar nga “qytetarët të shmangin zonat ku po ushtrohen akte dhune dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike”.

Në përmbyllje të reagimit, Policia e Shtetit rikonfirmoi se “e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me ligj”, por nënvizoi se “dhuna, sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe dëmtimi i pronës publike e private janë të papranueshme dhe ndëshkohen me ligj”.

Institucioni garantoi se “çdo veprim i dhunshëm që rrezikon jetën e punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve do të trajtohet në përputhje me ligjin”, ndërsa trupat e saj vijojnë të jenë në terren për të siguruar rendin publik.

Të Ngjashme