Nënkryetari i Prishtinë dhe kryetar i degës së dytë të Lidhjes Demokratike e Kosovës në kryeqytet, Florian Dushi, ka reaguar pasi ka mbetur jashtë listës së kandidatëve për deputetë të LDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit.
Përmes një postimi publik, Dushi ka folur për rrugëtimin e tij politik në LDK dhe besnikërinë ndaj frymës rugoviane, duke lënë të kuptohet se qëndrimet e tij mund të mos kenë qenë të përshtatshme për interesa të caktuara brenda partisë.
“Kam mbetur palëkundur dhe besnik rrugës së Presidentit Ibrahim Rugova dhe frymës së bashkëthemeluesve të LDK-së. Ndoshta pikërisht ky qëndrim iu ka penguar rrugën disa njerëzve dhe interesave të tyre”, ka shkruar Dushi.
Ai ka theksuar se për afro tri dekada ka qenë pranë anëtarësisë dhe votuesve të LDK-së, duke e konsideruar besimin e tyre si përgjegjësinë më të madhe politike dhe njerëzore.
“Kam qenë dhe do të mbetem një krah i fuqishëm e mbështetje e pandalshme për LDK-në – sepse dashnia për LDK-në duhet të jetë e pakushtëzuar për secilin që e do Kosovën, lirinë dhe demokracinë”, thuhet më tej në reagimin e tij.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Dushi kishte garuar me numrin 34 në listën e LDK-së, duke qenë pjesë aktive e procesit zgjedhor të partisë.
