Lajme

Mbi 75 mijë pako të shqyrtuara, KQZ vazhdon procesin e numërimit të votave me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi përmes postës, si pjesë e aktiviteteve pas zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 7 qershor 2026.

Sipas të dhënave të publikuara të dielën në mëngjes, deri tani janë numëruar 36 kuti votimi, ndërsa paralelisht po vazhdon edhe vlerësimi i pakove me fletëvotime të ardhura nga jashtë vendit, ku mbi 72 mijë prej tyre janë aprovuar për numërim.

Njoftimi i KQZ-së:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se janë duke vazhduar aktivitetet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor 2026.

1. Vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës.

Deri më tani (e diel, 14 qershor 2026, ora 09:00) janë numëruar 36 kuti votimi, në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pas aprovimit të tyre nga shërbimi votues i KQZ-së.

Sipas procedurave, zarfet që supozohet se përmbajnë fletëvotime, pas procesit të vlerësimit janë sistemuar në kuti votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit e regjistruar. Deri në këtë kohë, janë përgatitur dhe regjistruar në platformën e rezultateve 156 kuti votimi. Të tjera kuti votimi do të shtohen në këtë platformë derisa të përmbyllet procesi i vlerësimit të të gjitha pakove të tërhequra nga kutitë postare të KQZ-së.

KQZ sqaron se procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës është një proces dinamik, i cili zhvillohet paralelisht me përditësimin e të dhënave në platformën e rezultateve. Përmes këtij procesi, KQZ siguron transparencë të plotë dhe informim në kohë reale për publikun.

Votimi përmes postës është mundësuar nga 21 maj deri më 6 qershor 2026, ndërsa numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës ishte rreth 105 mijë.

2. Vazhdon vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë

Po ashtu, në QNR ka vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellur në Kosovë.

Deri në përfundim të ditës së shtunë (13 qershor 2026) në procesin e vlerësimit janë përfshirë 75,590 pako, prej të cilave janë aporvuar 72,746, ndërkaq janë refuzuar 2,844.

Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,571 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ. Po ashtu, arsyet e tjera, më pak të shprehura, lidhen me rastet kur në një pako janë përfshirë më shumë se një fletëvotim ose më shumë se një person (177), kur votuesi ka dërguar pakon nga një shtet tjetër nga ai ku ishte regjistruar për votim (21), kur në pako është gjetur vetëm dëftesa e regjistrimit pa fletëvotim (27), kur ka munguar pulla apo vula postare (5), si dhe me një rast kur fletëvotimi është shtypur. Sipas të dhënave të KQZ-së, janë evidentuar edhe 42 zarfe të dërguara gabimisht.

Gjatë ditës së hënë, më 8 qershor, është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës. Tërheqja e pakove me fletëvotime ëshë bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga 23 kuti postare, janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, pjesa më e madhe e të cilave, deri më tani, janë vlerësuar nga shërbimi votues i KQZ-së.

Të Ngjashme