Lajme

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm –​ Kurti zyrtarisht kandidat për kryeministër i LVV-së

09.05.2026 – 11:35

Kurti: Askush s’mund të na ndalë në përmbushjen e detyrës ndaj Kosovës dhe kombit shqiptar

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, pasi u nominua kandidat për kryeministër për zgjedhjet e 7 qershorit.

Kurti tha se përmbushja e misionit politik të Lëvizjes Vetëvendosje është detyrim historik ndaj Kosovës dhe kombit shqiptar.

Është një detyrim historik ky që kam ndaj jush, është një detyrim që ne e kemi ndaj gjithë kombit shqiptar dhe ndaj Republikës sonë. Këtë detyrë do ta përmbushim e s’na ndal dot askush, sepse sytë, veshët, mendjen, zemrën i kemi të përqendruar te qëllimi ynë më sublim: përparimi i kombit tonë. Pa mbështetjen tuaj të qëndrueshme dhe masive nga çdo fshat e nga çdo qytet, nga çdo lagje e nga çdo familje, nga brenda vendit e nga diaspora, ne nuk do të mundeshim t’i kapërcenim vështirësitë e mëdha shoqërore e historike të cilat na janë shfaqur në të shkuarën tonë. Por me ndihmën tuaj, me bashkëpunim, me bashkëveprim të sinqertë me të gjithë ju, me sakrificë e me punë pa u dorëzuar asnjëherë, jam i sigurt se ne do të tejkalojmë çdo pengesë e çdo sfidë”, tha ai.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje po hyn në një tjetër fushatë zgjedhore e papërkulur përballë kundërshtarëve politikë.

“Jemi në një tjetër fushatë, në prag të saj formalisht, në një tjetër ballafaqim me të kaluarën apo përfaqësitë e saj që nuk do të vdesin kurrë siç duket pa u përpjekur edhe një herë të na marrin frymën. Por ja që ne jemi këtu të pathyer, më të fortë se kurrë, me duar të pastra e me ballëhapur”,u shpreh Kurti.

Duke folur për zgjedhjet e 7 qershorit, Kurti tha se Vetëvendosje synon rritje të mëtejshme elektorale pas rezultateve të fundit zgjedhore.

Jemi sot saktësisht 29 ditë larg 7 qershorit, pra nesër katër javë janë zgjedhjet e reja e të jashtëzakonshme, të cilat vijnë më pak se pesë muaj pas zgjedhjeve të kaluara ku ne shënuam 51% të votave. E ato vinin dhjetë muaj pas zgjedhjeve ku ne fituam 42% të votave. Prej shkurtit deri në dhjetor, pra në vitin e kaluar, u rritëm për 9%. E nëse rritemi po aq prej dhjetorit deri në qershor, atëherë vërtet mund të prekim 60%”, thotë ai.

Ai tha se Kosova nuk kishte nevojë për zgjedhje të reja kaq shpejt, duke aluduar se opozita po e shtyn vendin drejt krizave politike.

“Me gjithë këtë, unë jam i mendimit që si shtet e si shoqëri, si institucione e sistem që duhet të funksionojnë në mënyrë demokratike dhe efikase, ne nuk kishim nevojë për zgjedhje të tjera të reja kaq shpejt. Duket sikur dikush, mbase ndonjë strateg që rri nga hija e që drejton nga prapaskenat veprimet e opozitarëve, po mendon që zgjedhjet janë të domosdoshme. Ndoshta janë për opozitën, por jo për popullin e për shtetin”, shtoi Kurti.

09.05.2026 – 11:30

​Kurti zyrtarisht kandidat për kryeministër i LVV-së

Të gjithë anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë votuar pro propozimit që Albin Kurti të jetë kandidat i tyre për kryeministër.

Në momentin e votimit, votën pro e dha edhe vet kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Fillimisht ishte ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ajo e cila propozoi Albin Kurtin kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër.

Në arsyetimin e saj, Haxhiu tha se e propozon sepse pushteti si rehati dhe privilegj por përgjegjësi ndaj qytetarëve.

09.05.2026 – 11:19

Albin Kurti i propozuari si kandidat për kryeministër nga LVV

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizja Vetëvendosje, ka nominuar Albin Kurti si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 7 qershorit.

Haxhiu tha se Kurti ka ruajtur të njëjtin përkushtim ndaj interesit publik që nga koha e angazhimit të tij në protesta e deri te drejtimi i Qeverisë së Kosovës.

“Pra njeriu që dikur fliste në protesta, në demonstrata, është i njëjti që sot merr vendime shumë të rëndësishme në qeverinë e Republikës së Kosovës me qëndrueshmëri dhe i pathyeshëm. Nga angazhimi studentor deri te udhëheqja e qeverisë, ai ka treguar të njëjtën vendosmëri dhe të njëjtin përkushtim ndaj interesit publik. Dhe pikërisht kjo krijoi lidhjen e tij me qytetarët, veçanërisht me ata që për shumë vite kishin humbur besimin se politika mund të sjellë ndershmëri, përgjegjësi dhe ndryshim real. Prandaj të dashur aktivistë, me bindje të plotë politike, me respekt për rrugën tonë të përbashkët dhe me besim në vullnetin e qytetarëve, propozoj që kandidati ynë për Kryeministër të Republikës së Kosovës të jetë Albin Kurti.”

Ajo foli edhe për zhvillimet politike pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, duke thënë se qytetarët i dhanë mandat të qartë Lëvizjes Vetëvendosje.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025, qytetarët votuan me 51.1% për Lëvizjen Vetëvendosje. Mandati dhe vullneti i qytetarëve ishin të qartë. Por ajo që pasoi tregoi edhe një herë se kush është i gatshëm të marrë përgjegjësi për qeverisje dhe kush vazhdon ta mbajë vendin peng të kalkulimeve politike. Pak ditë më parë, për shkak të moszgjedhjes së Presidentit, u shpërnda një Kuvend plotësisht legjitim, i dalë nga zgjedhjet ku qytetarët e Kosovës folën qartë, drejt dhe bindshëm. Vullneti i tyre ishte i padiskutueshëm, mandati ishte i qartë, legjitimiteti ishte i plotë. Dhe për një kohë shumë të shkurtër u votuan shumë marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare e shumë ligje që do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Sipas saj, vendi u përball me bllokada politike dhe kriza artificiale që çuan në zgjedhje të reja.

Por edhe kësaj radhe, në vend të respektimit të verdiktit qytetar, u prodhuan kriza artificiale dhe bllokada politike që e çuan vendin drejt zgjedhjeve të reja. Fatkeqësisht, kjo nuk është diçka e panjohur për qytetarët tanë. Të njëjtën qasje e kemi parë edhe vitin e kaluar: për më shumë se 10 muaj me radhë, pengesa, vonesa, bojkot i organizuar dhe shmangie nga përgjegjësitë kushtetuese. Ky bojkot pra nuk ishte i rastësishëm, as për herë të parë. Ishte një strategji presioni politik për ta futur vendin në një cikël të pafund zgjedhjesh, me shpresën se pasiguria dhe krizat e vazhdueshme do ta dobësonin vullnetin qytetar.”

Haxhiu tha se nuk ka pasur arsye që vendi të shkonte sërish në zgjedhje, duke akuzuar opozitën për bllokim institucional.

Në vend që institucionet të funksiononin normalisht dhe të respektohej vullneti i qytetarëve, u zgjodh rruga e bojkotit dhe bllokadës institucionale. Nuk kishte asnjë arsye që Kosova të shkonte përsëri në zgjedhje, sepse institucionet ishin legjitime, Kuvendi ishte funksional dhe shumica ishte e qartë dhe e vendosur. Por kur nuk arrijnë ta fitojnë besimin e qytetarëve me votë, disa fatkeqësisht përpiqen ta sfidojnë atë përmes krizave artificiale”.

09.05.2026 – 11:19

LVV nis mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur sot mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, një takim i rëndësishëm politik në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Në këtë mbledhje pritet të diskutohen zhvillimet e fundit politike në vend, strategjia zgjedhore e partisë, si dhe përgatitjet organizative për fushatën që po afrohet.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë caktuar të mbahen më 7 qershor, pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta zgjedhë Presidentin e ri të vendit, duke çuar kështu në shpërndarjen e institucioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Burime brenda Lëvizja Vetëvendosje bëjnë të ditur se gjatë kësaj mbledhjeje pritet edhe nominimi zyrtar i kandidatit të partisë për postin e Kryeministrit.

Ky vendim konsiderohet si një nga pikat kryesore të agjendës së sotme, pasi partia synon të hyjë në zgjedhje me një platformë të qartë politike dhe me emrin që do ta udhëheqë garën për formimin e qeverisë së ardhshme.

Të Ngjashme