Lajme

Mbrojtja e Viqentijeviq kërkon dëgjimin e eksperit nga FBI për sulmin në Ibër-Lepenc, kundërshton prokuroria

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për sulmin ndaj kanalit “Ibër-Lepenc”.

Në këtë seancë, mbrojtja e të akuzuarit Dragisha Viqentijeviq, përmes avokatit Millosh Deleviq, ka propozuar dëgjimin e një eksperti gjeologjik të FBI-së, si dhe dëgjimin e katër dëshmitarëve.

“Kam propozuar dëgjimin e katër dëshmitarëve, dhe mbesim pas propozimit të dëgjimit të ekspertit gjeologjik të FBI, që e ka përgatitur raportin”, tha avokati Deleviqë.

Kjo kërkesë e mbrojtjes u kundërshtua nga prokurori Bekim Kodraliu, i cili e konsideroi të paarsyeshme, duke thënë se një veprim i tillë vetëm do ta zgjaste procesin.

“Kundërshtojmë propozimet e palës mbrojtëse, për arsye se në këtë hetim penal kanë qenë të angazhuar edhe partnerët ndërkombëtar. Kështu që, gjatë fazës së hetimeve kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ndriçimin e ngjarjes. Dhe kemi marrë në intervistë edhe persona të tjerë, dhe nga të gjitha provat që kemi siguruar kemi vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se këta të pandehur janë përgjegjës për kryerjen e veprës penale. Çdo propozim i tillë do të prolongonte procedurën e nuk do të kontribuonte në ndriçimin e rastit, andaj propozimi i mbrojtjes është i paarsyeshëm dhe vetëm do ta prolongon procesin”, tha kodraliu .

Më tej, mbrojtja e Viqentijeviqit tha se eksperti i FBI-së duhet të dëgjohet në gjykatë, pasi, sipas saj, ekspertiza ka konstatuar përputhje mes baltës pranë kanalit ku ka ndodhur sulmi dhe baltës së gjetur në çizmet e Dragishës Viqentijeviq. Avokati tha se mbrojtja ka një numër pyetjesh lidhur me raportin.

“E vetmja provë që e fajëson Dragishën është ekspertiza e FBI. Ai ekspert i FBI supozohet se ka vërtetuar se balta përskaj kanalit ku ka ndodhur sulmi, dhe baltës në çizmet e Dragishës, përputhet. Është e rëndësisë të lartë që ky ekspert të dëgjohet sepse ne kemi shumë pyetje në lidhje me këtë raport”, deklaroi tutje avokati i Viqentijeviq .

Të Ngjashme