Komuna e Prishtinës ka njoftuar për mbylljen e përkohshme të një segmenti të Rrugës B, të shtunën, më 7 nëntor 2026, për shkak të organizimit të garës urbane të çiklizmit “Criterium Prishtina 2026”, edicioni i parë.
Sipas njoftimit të komunës, bllokimi do të jetë në fuqi nga ora 08:30 deri në 12:00, në segmentin nga rrethi që lidhet me Rrugën A deri te rrethrrotullimi i Maxi 24.
Megjithatë, rrethrrotullimi te Maxi 24 nuk do të bllokohet, pasi shiriti i tij i brendshëm do të mbetet i hapur për qarkullim normal.Për të shmangur kolonat dhe vonesat në trafik, qytetarëve u rekomandohet të shfrytëzojnë rrugët alternative, përfshirë Rrugën A, Rrugën C dhe Rrugën “Fadil Vata”, përmes lagjes Bregu i Diellit.
Komuna ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke theksuar se masat janë ndërmarrë për të garantuar sigurinë e garuesve dhe mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv.Njëkohësisht, qytetarët janë ftuar të dalin dhe të mbështesin garën e çiklizmit në kryeqytet.
