Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kanë reaguar me një deklaratë të përbashkët lidhur me protestat e dhunshme në vend. Hita bëri të ditur se 201 punonjës policie kanë mbetur të lënduar, ndërsa nga këqyrja e pamjeve filmike janë identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në akte dhune.
Gjatë deklaratës, kreu i Policisë së Shtetit theksoi se identifikimi i personave të dyshuar është bërë edhe përkundër përpjekjeve të tyre për të fshehur identitetin.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të distancohen nga aktet e dhunës dhe të shmangin qëndrimin me personat që përfshihen në veprime të tilla. Një apel të veçantë drejtoi edhe për prindërit, duke kërkuar që të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve të mitur në situata të dhunshme.
“201 punonjës policie kanë mbetur të lënduar. Nga këqyrja e pamjeve filmike janë identifikua 52 persona të dyshuar të përfshirë në veprime të dhunshme, pavarësisht përpjekjeve të tyre për të mbuluar identitetin. Prindërit mos të lejojnë fëmijët e mitur që të përfshihen në situata ku ushtrohet dhunë. U bëj thirrje qytetarëve të distancohen nga çdo akt dhune, të shmangin qëndrimin me personat që ushtrojnë dhunë. Policia do të veprojë me vendosmëri në përputhje me aktet ligjore dhe parimi e proporcionalitetit ndaj cilitdo që rrezikon jetën e njerëzve apo dëmton pronën publike dhe private. Dhuna nuk mund të justifikohet”, tha Hita.
Në të njëjtën deklaratë, Hita u ndal edhe te siguria e gazetarëve gjatë protestave, duke garantuar se Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të krijuar kushtet që ata të ushtrojnë profesionin e tyre të lirë dhe të sigurt.
Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë për komunikim të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunim më të strukturuar me organizatat përfaqësuese të mediave.
“Policia mbetet e angazhuar për të garantuar kushtet e nevojshëm që gazetarët të ushtrojnë të lirë dhe të sigurt profesionin e tyre, duke qenë e hapur për komunikim të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunim më të strukturuar me organizatat përfaqësuese të mediave. Vetëm përmes komunikimit institucional, respektit të ndërsjellë mund të shmangim keqkuptimet dhe t’i shërbejmë sëbashku interesit publik”, theksoi Hita.
