Lajme

Me diell apo me shi? Ky është moti për fundjavë

Të shtunën mbi vendin tonë do të mbajë mot kryesisht i vranët, por me intervale të herëpashershme me diell.

Gjatë orëve të ditës, sipas Institutit Hidrometerologjik, vranësirat konvektive pritet që lokalisht të shoqërohen me riga shiu dhe shkarkime rrufesh, kryesisht në zona të kufizuara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6–10°C, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të arrijnë ndërmjet 18–21°C.

Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit me shpejtësi prej 1–10 m/s.

Të dielën parashihet mot i vranët dhe me intervale me diell.

Vranësirat, sipas IHMK-së, vende-vende pritet të sjellin reshje shiu, transmeton Klankosova.tv.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6–9°C, ndërsa maksimalet e ditës pritet të arrijnë nga 15 deri në 17°C. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i juglindjes.

Sa i përket kushteve agrometeorologjike, reshjet e herëpashershme dhe temperaturat relativisht të favorshme do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e kulturave bujqësore pranverore, megjithatë fermerët duhet të kenë kujdes nga lagështia e shtuar, e cila mund të krijojë kushte për paraqitjen e sëmundjeve kërpudhore në disa kultura.

Të Ngjashme