Lajme

Më shumë se dy orë rezistencë ndaj RENEA-s dhe bluve, vrasësi i Kosta Plakës shpërthen në lot: Më kanë marrë 730 mijë paund

Nertil Buzi autori i vrasjes së ish-vjehrrit dhe plagosjen e ish-vjehrrës në fshatin Vidhishtë të Roskovecit, vijon të jetë në arrati.

35-vjeçari pretendon se ka humbur një shumë prej 730 mijë paundësh dhe se përgjegjës për këtë janë familjarët e ish-partneres së tij. Ai u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë me vete edhe armën e zjarrit me të cilën dyshohet se kreu krimin.

Sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha, Buzi është shfaqur duke qarë dhe ka deklaruar se familjarët e ish-partneres janë fajtorë për humbjen e parave të tij.

“Ata ma kanë bërë, më kanë marrë 730 mijë paund”, raportohet të jetë shprehur ai.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm, ku Buzi qëlloi me armë gjahu ndaj ish-vjehrrit të tij, 55-vjeçarit Arben Plaka, i cili humbi jetën, ndërsa plagosi ish-vjehrrën, Belere Plaka.

Pas ngjarjes, ai u arratis duke marrë peng ish-partneren e tij, të cilën e la e lirë disa orë më vonë, pasi forcat speciale RENEA rrethuan zonën.

Që prej mëngjesit të sotëm, forca të shumta policie, efektivë të Forcës së Posaçme Operacionale, Forcës Kombëtare të Sigurisë (RENEA), Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier vijojnë operacionin për kapjen e 35-vjeçarit.

Operacioni është përqendruar kryesisht në fshatin Çerven, në kufi me Mallakastrën, pranë fshatit Drenie, ku dyshohet se autori mund të jetë fshehur. Kontrollet po zhvillohen intensivisht si nga toka, ashtu edhe me dronë nga ajri.

Policia është në ndjekje të autorit, ndërsa apelon për bashkëpunimin e qytetarëve dhe kërkon që çdo informacion i vlefshëm të njoftohet menjëherë pranë strukturave të rendit.

Të Ngjashme