Sipas publicistit Kim Mehmeti, Lidhja Demokratike e Kosovës është shndërruar në një subjekt politik që, sipas tij, ka si qëllim kryesor “shpëtimin e kryetarit të saj Lumir Abdixhiku dhe nderit të ish-presidentes Vjosa Osmani”.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1 Mehmeti është shprehur se LDK-ja nuk ka, sipas tij, një projekt të qartë për Kosovën, por është e fokusuar te figurat brenda saj.
“LDK-ja për mua momentalisht është shndërruar në parti që ka vetëm një qëllim: si ta shpëtojë kryetarin e saj dhe si ta shpëtojë nderin e ish-presidentes së Kosovës. Kurrfarë qëllimi tjetër nuk ka. Nuk ka asnjë qëllim për Kosovën. Pra, e gjitha që flitet është kjo për Abdixhikun dhe Osmanin”, ka deklaruar ai.
Ai gjithashtu ka pretenduar se ka informacione që Vjosa Osmani e ka ndihmuar zgjedhjen e sërishme të Lumir Abdixhiku në krye të LDK-së.
“Edhe unë e di këtë, kam informata se ish-presidentja e ka ndihmuar kryetarin e LDK-së që të zgjidhet kryetar, sepse ishte aty diku. Sa janë të sakta apo jo këto informacione, nuk e di, por për mua personalisht janë të sakta, pra që ajo e ka ndihmuar. Osmani filloi të fuste aksione dhe kredi në LDK, që pastaj, kur të vijë puna, t’i shfrytëzojë. Ajo bëhej gati edhe para se Vetëvendosja t’i thoshte shumë qartë se nuk mund të vazhdojë me ne. Sipas meje dhe informatave të mia, aty filloi edhe përçarja e fundit, sepse në atë moment Kurti e kuptoi se ajo luan në më shumë porta. Pastaj edhe afrimi me ‘piktorin’ (Edi Rama) kishte të bënte shumë me atë ‘që të shpëtoj unë’”, ka përfunduar Mehmeti.
