Lajme

Mes protestave në Shqipëri, Mustafa sfidon institucionet: A do të hetohen ndonjëherë ‘kryeveprat’ e Ramës?

Teksa protestat qytetare në Shqipëri po vijojnë prej ditësh, zërat kritikë ndaj qeverisë po bëhen gjithnjë e më të fortë. Në këtë klimë politike, opinionisti Xhevat Mustafa shprehet se protestat dhe kritikat publike nuk mjaftojnë për të tronditur kryeministrin Edi Rama, duke argumentuar se vetëm veprimi i institucioneve të drejtësisë mund të sjellë llogaridhënie dhe ndryshim real.

Ai vlerëson se vetëm veprimet e institucioneve të drejtësisë, si SPAK-u dhe gjykatat, mund ta vënë seriozisht përballë përgjegjësisë, nëse ato veprojnë me pavarësi, profesionalizëm dhe në zbatim të Kushtetutës e ligjit.

“Prej mbi 12 vitesh kryeministri Edi Rama, “viktimë” e vetes, misionit, shumë pushteteve dhe mbështetjes masive nga “populli i majtë”, ka treguar shpesh herë dhe qartësisht se fjalimet, shkrimet në gazeta e rrjete sociale, parrullat, akuzat, të vërtetat… kundër atij si kryeministër e gjithë tufës së tij qeverisëse, i përjeton dhe vlerëson si ca pika shi apo kokrra breshëri! Për trurin dhe sytë e tij, edhe protestat paqësore, të mëhershme nga PD e prej 16 ditësh nga një masë e madhe qytetarësh dhe populli, janë si manifestime popullore apo si shëtitje mbrëmësore!

Domethënë, atë mund ta shqetësojnë, trondisin seriozisht e ta rrëzojnë vetëm hetimet, veprimet dhe vendimet e SPAK, GJKKO, GJYKATËS KUSHTETUESE, GJYKATËS SË LARTË…Kuptohet, nëse këto institucione do të ndërgjegjësohen dhe do të veprojnë me profesionalizëm dhe kurajë, sipas ligjeve dhe KUSHTETUTËS! Edhe nëse do të ndjehen dhe veprojnë si ekzekutues të pavarur e kurajozë të asaj, që në shumicën e vendeve të Perëndimit e të DEMOKRACISË, i thonë DREJTËSI E PAVARUR nga çdo politikan dhe pushtetar! “, thotë ai.

Tutje, Mustafa pretendon se ndaj Edi Ramës dhe rrethit të tij familjar ekzistojnë shumë dyshime dhe dosje për abuzime me pushtetin, korrupsion dhe veprime të kundërshtuara.

Ai shton se këto çështje lidhen me projekte e zhvillime në zona të ndryshme të Shqipërisë dhe shpreh bindjen se prokurorët e gjyqtarët duhet t’i hetojnë ato me seriozitet.

“Pra, edhe nga presidenti, kryeministri, ministri i drejtësisë…! Për fatin e mirë të institucioneve tona të drejtësisë, për Edi Ramën individualisht dhe si çift, së bashku me vëllain, Olsin, janë mbushur me dosje abuzimesh me fronin dhe kompetencat, me dosje korrupsioni apo pazaresh antiligjore dhe antikombëtare, jo vetëm kabinetet e tij në Kryeministri dhe në parti, por edhe “piramida familjare” në Surrel…! Ndërsa veprat dhe “kryeveprat” e tij gjenden lehtë në Ksamil, Sarandë, Himarë, Orikum- Karaburun, Sazan, Zvërnec, në qytetin e Vlorës, në Fier, Durrës(port e qytet), Tiranë, Velipojë, Rrjoll, Kelmend, Valbonë, Mat, Mirditë, Dibër…!

“Lum” ata prokurorë dhe gjyqtarë, që do t’i shikojnë dhe hetojnë!”, thekson ai.

Të Ngjashme