Qytetarë të shumtë u mblodhën për disa orë para godinës së Kryeministrisë për të shprehur qëndrimet dhe pakënaqësitë e tyre lidhur me çështjet që i kanë nxjerrë në protestë.
Pas qëndrimit në këtë pikë, organizatorët njoftuan se pjesëmarrësit do të vijojnë marshimin në disa nga zonat kryesore të kryeqytetit, duke përcjellë mesazhet e tyre edhe në institucione të tjera.
Një nga organizatorët e protestës, Arben Kola, bëri të ditur itinerarin që do të ndiqet gjatë marshimit.
Sipas tij, protestuesit do të nisen nga zona e njohur si Tajvani, për të vijuar më pas drejt Bashkisë së Tiranës. Më tej, ata do të ndalojnë për rreth pesë minuta pranë Parlamentit, përpara se të vazhdojnë drejt zonës së Shkollës Kosova.
Një tjetër ndalesë simbolike do të jetë pranë Shtëpisë së Europës, ku protestuesit do të qëndrojnë sërish për pesë minuta. Në fund, marshimi do të përmbyllet te Kryeministria, ku pritet të mbyllet edhe aktiviteti protestues i planifikuar për këtë ditë.
