Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, paralajmëroi sot lidhur me armatosjen e Serbisë, duke e cilësuar atë sfidë për sigurinë rajonale dhe deklaroi se ndonëse Kroacia nuk ka nevojë të reagojë ndaj çdo provokimi verbal, ajo duhet t’i monitorojë zhvillimet ushtarake që mund të ndikojnë në siguri.
Duke folur në ceremoninë përkujtimore të 31-vjetorit të operacionit ushtarako-policor “Stuhia” në Knin, Milanoviq tha se Kroacia e fitoi luftën, ndërkohë që siç deklaroi ai, nga Serbia vijnë vazhdimisht mesazhe se “Stuhia” nuk do të ndodhë më kurrë.
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq mbajti gjithashtu fjalim në ceremoninë qendrore, duke theksuar rolin kyç të operacionit në përfundimin e luftës në rajon dhe në ngjarjet në Bosnjë e Hercegovinë. “Kjo e shpëtoi Bihaqin nga një katastrofë humanitare e pashmangshme, e ndryshoi balancën e forcave në Bosnjë e Hercegovinë dhe hapi rrugën për paqen dhe Marrëveshjen e Dejtonit”, tha Plenkoviq, shkruan TRT Balkan, transmeton KosovaPress.
Ai theksoi çështjen e veteranëve kroatë të zhdukur, duke deklaruar se ata ishin viktima të regjimit të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq.
Ceremonia përkujtimore në Knin u zhvillua në praninë e udhëheqjes shtetërore dhe përfshiu ceremoni ushtarake me demonstrim të aftësive të Forcave të Armatosura të Kroacisë si dhe fluturime të avionëve luftarakë “Rafale” dhe helikopterëve ushtarakë.
Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, tha se mes pjesëmarrësve mbizotëron një ndjenjë krenarie për shkak të, siç u shpreh ai, fitores në luftë dhe krijimit të shtetit të pavarur.
Operacioni “Stuhia” filloi në orët e hershme të mëngjesit të 4 gushtit 1995 dhe brenda 84 orësh, forcat kroate morën nën kontroll territore që kishin qenë jashtë juridiksionit të autoriteteve në Zagreb, dhe sipas qëndrimeve zyrtare kroate, kjo vendosi kufij të njohur ndërkombëtarisht dhe krijoi kushtet për riintegrimin paqësor të mëpasshëm të Sllavonisë Lindore.
Gjatë operacionit u çliruan rreth 11.400 kilometra katrorë territor që përbën më shumë se 14 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të Kroacisë dhe në të morën pjesë rreth 200 mijë pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë. Sipas të dhënave kroate, humbën jetën 242 ushtarë ndërsa dy persona rezultojnë të zhdukur.
Nga ana tjetër, në Serbi dhe në entitetin e Republikës Sërpska, operacioni shpesh përshkruhet si shembulli më i madh i spastrimit etnik që nga Lufta e Dytë Botërore dhe kjo datë shënon përkujtimin e eksodit të popullsisë serbe.
Sipas të dhënave nga organizatat që dokumentojnë viktimat e luftës, qindra civilë u vranë gjatë dhe pas operacionit ndërsa dhjetëra mijëra ndërtesa u shkatërruan. Vlerësohet se rreth 200.000 qytetarë me përkatësi etnike serbe u larguan nga Kroacia dhe vetëm një numër i vogël u kthye më vonë.
Të dhënat e Këshillit Kombëtar Serb tregojnë se më shumë se 200.000 serbë u dëbuan ndërsa pothuajse 2.000 njerëz u vranë gjatë dhe pas operacionit. Çështja e “Stuhisë” mbetet ende një nga më të ndjeshmet në marrëdhëniet rajonale, me interpretime të ndryshme për ngjarjen dhe pasojat që pasuan.
