Lajme

Minatorët e “Trepçës” kërkojnë paga më të larta dhe investime në ndërmarrje

Sindikata e minatorëve të “Trepçës” ka shprehur pakënaqësinë për kushtet e punës, pagat e ulëta, sigurinë në punë, mospagesën e trustit pensional, mosrespektim e të drejtave ligjore dhe mungesën e investimeve në ndërmarrje.

Në një reagim në Facebook, Sindikata ka vlerësuar se “Trepça” nuk do të ringrihet pa investimet nga shteti.

“Kërkohet nga minatorët ta zhvillojnë ‘Trepçën’. Jo, ‘Trepça’ nuk zhvillohet pa investime dhe me borxhe milionëshe. Duke mos krijuar kushte pune të sigurta dhe mbrojtje të shëndetit, si dhe pa furnizim me mjete pune”, thuhet në reagim.

Sindikata ka shprehur pakënaqësi dhe kritika ndaj bordit dhe menaxhmentit të ndërmarrjes.

“Është e dhimbshme dhe zhgënjyese se si nuk ka gatishmëri për të gjetur zgjidhje për minatorët dh po u ngarkohet barra e keqmenaxhimit të ndërmarrjes tash e 26 vjet. Kjo sipas logjikës së tashme, përgjegjësinë dhe pasojat po i bartin minatorët, por pa u ngarkuar përgjegjësia dhe llogaridhënia atyre që keqmenaxhuan, ndërsa nga minatorët po kërkohet ringritja e ‘Trepçës’”, thuhet në reagim.

Ata janë ankuar edhe për mospërfshirje të Sindikatës në hartimin e draftrregullores së pagave.

“Ndërsa në draftrregulloren e pagave, e cila është duke u finalizuar, por duke lënë anash sindikatën, dhe në shumicën 90% të punës së kësaj rregulloreje sindikata nuk është përfshirë dhe na kanë pamundësuar për të dhënë kontributin tonë. Ku ne njoftuam kryesuesin e bordit se në këtë rregullore të pagave pritja e minatorëve është që të ketë ngritje të pagave, si dhe në diskutime të brendshme gjithmonë është përfolur se me këtë rregullore do të rregullohen edhe koeficientet e pagës. Por kjo ka qenë edhe kërkesa e minatorëve për ngritje të pagave, sepse paga e minatorit ka mbetur shumë e ulët për një punë shumë të rëndë dhe të vështirë, pagesë qesharake. Përgjigjja e bordit ishte se nuk janë të informuar se në rregullore do të përfshihen edhe pikat e pagave”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim thuhet se arsyetimi që kanë marrë nga Bordi është se ka mungesë të mjeteve financiare.

“Dhe arsyetimi është se kemi mungesë financiare. E duhet t’i ngrisim njëherë të hyrat financiare. Por të hyrat financiare nuk ngrihen me minatorë të cilët që nga paslufta me ngulm kërkojnë ligjin për minatorë, e jo të ngrihet ‘Trepça’ me minatorë deri në moshën 65-vjeçare. Minatorë të harxhuar, s’ka energji njeriu ta përballojë punën në minierë deri në 65 vjet”, thuhet në reagim.

Sindikata ka njoftuar se sapo ta kenë draftin final të rregullores, do të mbajë një tubim me minatorët për t’i informuar se çka përmban ajo dhe a është e pranueshme për ta.

Të Ngjashme