Ministrja Fitore Pacolli ka reaguar lidhur me vendimet e Kuvendit Komunal të Prishtinës për caktimin e lokacioneve për projekte të ndryshme, duke pretenduar se 19 prej tyre janë kthyer mbrapsht nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Sipas Pacollit, këto vendime nuk kanë bazë ligjore dhe nuk janë në përputhje me dokumentet e planifikimit hapësinor në fuqi.
Ajo ka thënë se kthimi i vendimeve nuk përbën bllokim të projekteve, por është pasojë e mungesës së bazës ligjore.
Postim i plotë:
19 VENDIME TË JASHTËLIGJSHME TË KTHYERA MBRAPSHT!
Qeverisja e Përparim Ramës në Prishtinë po dëshmohet çdo ditë e më shumë si një qeverisje e improvizimeve dhe shkeljeve ligjore. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i ka hedhur poshtë plot 19 vendime të Kuvendit Komunal të Prishtinës për caktimin e lokacioneve për projekte të ndryshme.
Arsyeja është e thjeshtë, këto vendime nuk kanë asnjë bazë ligjore dhe bien ndesh me dokumentet e planifikimit hapësinor në fuqi!
Për pesë vjet në krye të Prishtinës, duket se kryetari ende nuk e ka mësuar se projektet publike dhe zhvillimi urban nuk bëhen me pazare nëpër tavolina kafenesh. E as dëshirat e disa biznesmenëve nuk mund të përmbushen në kurriz të qytetit e qytetarëve të tij.
Destinimet dhe parametrat urbanë nuk vizatohen sipas dëshirave të momentit për t’u shtyrë më pas me pazare përmes asambleistëve të Kuvendit Komunal, por duhet të burojnë nga planet e miratuara dhe ligjet e shtetit.
Pastaj, kur vendimet i kthehen sepse nuk kanë bazë ligjore dhe nuk mbështeten në planet hapësinore, del e ankohet se dikush po ia bllokon projektet.
Nuk të bllokon askush kur punon drejt, të bllokon injorimi i ligjit dhe mungesa e transparencës.
