Lajme

Ministrja Gërvalla gjatë vizitës në Gjykatën Themelore në Gjilan: “Çdo ditë reformë në drejtësi, çdo ditë forcim i shtetit të së drejtës”

Në vazhdën e aktiviteteve në Komunën e Gjilanit, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, vizitoi Gjykatën Themelore në Gjilan, ku u prit nga Kryetari i Gjykatës, Venhar Salihu, Nënkryetari Rilind Sermaxhaj, Gjyqtarja Mevlide Shabani, dhe Administratori i Gjykatës, Shkëlqim Dushica.

Gjatë kësaj vizite, Ministrja Gërvalla u njoftua nga afër me punën e përditshme të Gjykatës Themelore të Gjilanit, si dhe bashkëpunimet profesionale dhe institucionale.

“Funksionimi i gjykatave është jetik për garantimin e sundimit të ligjit, ndërsa sfidat reale në menaxhimin e lëndëve dhe nevoja për forcim të mëtejmë të kapaciteteve institucionale dhe teknike mbeten të domosdoshme për rritjen e efikasitetit dhe besueshmërisë në sistemin gjyqësor”, u shpreh Ministrja.

Në kuadër të diskutimeve, Ministrja Gërvalla ritheksoi përkushtimin për të çuar përpara reformat në drejtësi, përfshirë funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe paketën e pesë projektligjeve që janë në proces konsultimi me publikun, si hapa konkretë në rritjen e integritetit, llogaridhënies dhe funksionalitetit të sistemit në tërësi.

Në fund, Ministrja Gërvalla shprehu falenderimet e saj për Kryetarin Salihu, Nënkryetarin Sermaxhaj, Gjyqtaren Shabani dhe Administratorin Dushica, për mikpritjen, qasjen bashkëpunuese dhe angazhimin në funksion të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimit të punës së gjykatës.

Image

Të Ngjashme