Lajme

MINTI: Kusari-Lila nuk e zgjodhi hotelin, lokacionin e caktoi Ambasada Gjermane

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka reaguar ndaj raportimeve të disa portaleve se ministrja në detyrë, Mimoza Kusari-Lila, ka preferuar një hotel mbi bazë etnike gjatë vizitës së Christian Wiermer në Kosovë, duke thënë se aktiviteti dhe lokacioni janë përcaktuar nga Ambasada Gjermane dhe jo nga ministrja.

Sipas MINTI-t, pretendimi se Kusari-Lila ka “preferuar hotelet me motivacion multietnik para atyre shqiptare” është i pavërtetë dhe përbën dezinformatë.

Ministria ka sqaruar se aktiviteti nuk është organizuar nga MINTI dhe as nga ministrja në detyrë Kusari-Lila, por nga Ambasada Federale e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë.

Sipas reagimit të Ministrisë, Ambasada Gjermane ka përcaktuar edhe lokacionin e aktivitetit, ndërsa Kusari-Lila ka marrë pjesë si e ftuar dhe ka respektuar organizimin dhe protokollin e nikoqirit.

“Prandaj, t’i atribuohet ministres përzgjedhja e hotelit apo të pretendohet se ajo ka ‘preferuar’ një hotel mbi bazë etnike është manipulim i drejtpërdrejtë i fakteve”, thuhet në reagimin e MINTI-t.

Ministria ka thënë se asnjë nga portalet që kanë publikuar këto pretendime nuk e ka kontaktuar MINTI-n, ministren apo organizatorin, Ambasadën Gjermane, për të verifikuar informacionin para publikimit.

Sipas MINTI-t, përkatësia etnike nuk është dhe nuk ka qenë kriter në aktivitetin institucional të ministres Kusari-Lila, ndërsa Ministria ka thënë se ajo në vazhdimësi promovon bizneset vendore pa dallime dhe angazhohet për zhvillim të barabartë ekonomik në të gjithë Kosovën.

MINTI ka theksuar se kritika është pjesë e demokracisë, por se raportimi duhet të bazohet në fakte dhe verifikim.

Në fund të reagimit, Ministria ka përsëritur se aktiviteti është organizuar nga Ambasada Gjermane dhe se lokacioni është përzgjedhur nga Ambasada.

“Çdo pretendim që e paraqet këtë si zgjedhje të ministres është dezinformatë dhe manipulim i fakteve”, thuhet në reagimin e MINTI-t. 

Të Ngjashme