Aktorja Monika Lubonja ka reaguar pas publikimit në rrjet të disa videove intime, duke deklaruar se nuk kishte dijeni për filmimet dhe se privatësia e saj është cenuar nga një person të cilit i kishte kushtuar disa vite të jetës.
Lubonja thotë se nuk ndihet e turpëruar për dashurinë që ka dhënë, por shpreh dhimbjen e saj për faktin që besimi i treguar është përdorur kundër saj. Ajo u ka kërkuar mediave të mos publikojnë apo komentojnë materiale intime, ndërsa opinionit publik i ka bërë apel të mos e shndërrojë vuajtjen e saj në argëtim dhe të mos e gjykojë për besimin që i dha një njeriu të pabesë.
Të lidhura
None found
“Sot ju drejtohem me dhimbjen e një gruaje, së cilës i është shkelur besimi dhe privatësia, por edhe me vendosmërinë për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e saj.
Kërkoj dhe shpresoj që të ndalet baltosja ime në emër të një ‘morali kolektiv’. Dinjiteti i një njeriu ndërtohet gjatë gjithë jetës dhe nuk mund të shkatërrohet nga tradhtia e dikujt, të cilit i fala disa vite të jetës sime.
Nuk kam pasur dijeni dhe nuk kam dhënë pëlqim që të filmohem, të regjistrohem apo që materiale intime të shpërndahen, të shiten ose të publikohen. Kam dashur dhe kam besuar te dikush. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhënë, por më dhemb që besimi im është përdorur si armë kundër meje.
Mediave u kërkoj ta respektojnë privatësinë time dhe të mos publikojnë apo të spekulojnë me materiale intime. Opinionit publik i kërkoj të mos e kthejë dhimbjen time në argëtim dhe të mos më gjykojë për besimin që i dhashë një njeriu të pabesë.
I jam drejtuar drejtësisë dhe do ta ndjek këtë rrugë deri në fund. Dinjitetin tim dhe pabesinë nuk ia fal askujt që përdori jetën time. Do ta ndjek ligjërisht këtë çështje dhe jam e sigurt se e vërteta do të flasë”, është shprehur aktorja.
Monika Lubonja ka shtuar se i kërkon Zotit forcë për të mos lejuar që kjo plagë t’ia mbushë zemrën me urrejtje. Ajo ka theksuar se beson që e vërteta e saj njihet dhe se pret që drejtësia të kryejë detyrën e saj.
