Lajme

Morina kundër martesave mes gjinive të njëjta: PSHDK nuk e voton një ligj të tillë

Kandidati për deputet nga koalicioni LVV-PSHDK, Zef Morina, ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj mundësisë që të votojë për Kodin Civil, i cili mundëson martesat mes personave të gjinisë së njëjtë.

Duke folur për këtë çështje, Morina tha se një dispozitë e tillë bie ndesh me bindjet dhe vlerat që ai i konsideron themelore për shoqërinë.

“Ky ligj është në ndryshim e sipër. Nëse e marrim në kuptimin klasik të një veprimi të tillë, ai më së pari bie ndesh me kodin njerëzor, kodin gjenetik për të cilin ne jetojmë. Unë nuk besoj që asnjë parti në Kosovë do ta votonte një gjë të tillë”, deklaroi Morina në “Këndin e Debatit” në Tëvë1.

Ai shtoi se nuk pret që PSHDK-ja të mbështesë një version të Kodit Civil që parasheh martesat mes gjinive të njëjta, edhe në rast se çështja lidhet me proceset integruese evropiane, madje edhe me koalicionin me LVV-në.

“Nëse na bëhet gjithsesi e detyrueshme për shkak të raporteve me BE-në, prapë unë s’e besoj që PSHDK-ja voton. Nuk e besoj, sepse është krejtësisht në kundërshtim me atë që neve na takon, jo si parti, por si qenie njerëzore”, tha ai.

Të Ngjashme