Publicisti Rexhep Shahu ka reaguar ashpër ndaj debatit të fundit në Kosovë për Gjykatën Speciale në Hagë, në kohën kur po përgatitet procesi i apelit për katër ish-drejtuesit e UÇK-së. Shahu thotë se, ndërsa në Hagë po zhvillohet beteja juridike, në Prishtinë po zhvillohen protesta dhe reagime që, sipas tij, synojnë të ushtrojnë presion ndaj gjyqtarëve e prokurorëve ndërkombëtarë.
Në një reagim të gjatë, Shahu kritikon përpjekjet për zhbërjen e Gjykatës Speciale dhe shtron pyetjen se në cilin shtet demokratik protestat në sheshe mund të diktojnë vendimet e gjykatave. Ai thekson se vendimet e gjykatës duhet të kundërshtohen përmes rrugës juridike, duke e cilësuar apelin si betejën ku duhet të përqendrohet vëmendja.
Shahu ndalet edhe te roli i UÇK-së në luftën e Kosovës, duke argumentuar se lufta e saj ishte pjesë e çlirimit, ndërsa thekson rolin vendimtar që, sipas tij, patën Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja. Ai përmend edhe kontributin e Ibrahim Rugovës në diplomacinë ndërkombëtare dhe paralajmëron se raportet e Kosovës me vendet që e kanë mbështetur dhe siguruar atë nuk duhet të dëmtohen, përcjell “Bota sot”.
Në reagimin e tij, Shahu flet edhe për katër ish-drejtuesit e UÇK-së që ndodhen në Hagë, duke theksuar se “Kosova është shumë më shumë se ata 4 drejtues”, ndërsa shpreh shpresën që beteja juridike në Apel të fitohet dhe që debati të mos zhvendoset në protesta e rrjete sociale.
Shkrimi i plotë
Në pritje të betejës juridike në Hagë, bëjmë lojë luftash në zyra e sheshe në Prishtinë.
Në Hagë po përgatitet gjykimi i apelit për 4 drejtuesit e UÇK-së, në Kosovë, në sheshe e në zyra bëhet tallava trimërishte patriotike.
Nuk heshtin të përgatiten për apelin, por u bëjnë gjyq në FB gjyqtarëve e prokurorëve ndërkombëtarë.
Duan ta zhbëjnë Gjykatën Speciale, rrezik duan ta zhbëjnë edhe qytetin e Hagës, edhe Parlamentin Evropian, edhe OKB-në. Jo gjykatën që njohu si të ligjshme pavarësinë e Kosovës.
Jo për hir të atyre që janë në Hagë, po për ndonjë karrige pushteti në Prishtinë, në lojën e ulët: miratoni ligjin që zhbën Gjykatën Speciale, të miratojmë presidentin…
Nuk di ku ndodh që protestat në sheshe të diktojnë vendime gjykatash. Në shtete demokratike, jo.
Vendimin e gjykatës që rrëzon akuzat për krime kundër njerëzimit e pranojmë, por vendimin e kësaj gjykate që dënon 4 njerëz për përgjegjësi individuale nuk e pranojmë dhe duam ta anulojmë në shesh, jo në apel. Duam ta zhbëjmë gjykatën, por vendimet e saj mbeten në fuqi.
Nuk di ku ndodh që secilit që di shkrim e këndim i duket vetja më i aftë se çdo gjyqtar e prokuror i zgjedhur ndërkombëtar.
Keqkuptimi i madh duhet ndalur, duhet ndalur kopjimi brutal i historisë së partizanëve e komunistëve të Shqipërisë e të Kosovës. Duhen ndalur atentatet e tjera ndaj Kosovës.
Kosova në 1945, kur komunistët e saj, me pëlqimin e komunistëve të Tiranës, e ribashkuan me Serbinë nën Jugosllavi, kishte 5 vjet që ishte shtet i bashkuar shqiptar. Po të mos e bashkonin komunistët me Serbinë, i mirë apo i keq, sot do të ishim një shtet me rreth 50 mijë km katrorë, i vetëmjaftueshëm për të mirë e për të keq. Çdo avokati për këtë ribashkim me Serbinë është me vaditë rrënjët e komunizmit.
Tjetra që duhet të bëhemi esëll.
UÇK-ja u tregoi shqiptarëve se edhe serbët i vret plumbi, se shqiptarët gati e patëm harruar këtë gjë.
Kjo është fitorja e UÇK-së. Pushka e UÇK-së u dëgjua në gjithë zyrat e kancelarive të botës.
UÇK-ja zgjoi shpirtin shqiptar të qëndresës.
Avokatinë në kancelaritë e botës UÇK-së ia bëri Rugova, që i bindi kancelaritë se shqiptarët po mbrojnë pragjet e shtëpive të tyre. Askush nuk ka qenë, as mund të jetë, avokat i Kosovës e UÇK-së sa Rugova.
Por të mos rrejmë veten e fëmijët tanë: UÇK-ja nuk e ka çliruar Kosovën, ajo ka ndihmuar çlirimin e saj, ka ndihmuar shqiptarët të çlirohen prej frikës.
Por Kosovën e ka çliruar Amerika e NATO-ja.
UÇK-ja ishte formacion vullnetar joprofesionistësh. Ajo nuk arriti të mbrojë civilët shqiptarë, gratë, fëmijët, pleqtë.
Shqipëria administrative nuk e ndihmoi luftën e Kosovës, se nuk kishte as ushtri, as fuqi Shqipëria. Kur kanë ardhur në Kukës Hashim Thaçi e Bujar Bukoshi me takuar të dëbuarit prej Kosovës, Divizioni i Veriut, i Kukësit, nuk i kishte as 100 ushtarë, por populli i Shqipërisë iu gjend popullit të dëbuar të Kosovës.
Nëse do të mashtrojmë veten e pasardhësit se UÇK-ja e ka çliruar Kosovën, do të vazhdojë rrena, ngatërresa e mashtrimi në Kosovë, si në Shqipëri që nga 1944.
Shqipërinë nuk e kanë çliruar partizanët e saj; për partizanët e Shqipërisë do të kishte sot më shumë italianë e gjermanë në Shqipëri sesa ka shqiptarë në Itali e Gjermani.
Ushtarët e vërtetë të UÇK-së që luftuan për liri ose janë në varre, ose në punët e tyre në jetën civile, nuk lëpijnë eshtrat e Kosovës, nuk kërkojnë euro, as dekorata, as famë, as lavdi.
UÇK-ja e ka mbyllur ciklin e saj me 12 qershor 1999. Nuk u bë dot fituese e nënshkruese e fitores në Kumanovë më 12 qershor 1999. Nënshkroi Amerika.
UÇK-ja nuk janë 4 individët drejtues të saj që janë në Hagë.
Kosova është shumë më shumë se ata 4 drejtues.
6 vjet në Hagë, nën hetim, mendoj se nyja është e vështirë për t’u zgjidhur. Më lehtë pritet që të këputet.
Mendoj dhe kam pritur që z. Thaçi të heqë letrat nga duart dhe t’i drejtohet vendit me një ndjesë të thellë gjithkujt që ndjehet i lënduar. Ka mjaft arsye për një ndjesë shterruese. Me shtri dorën e pajtimit e me u zhdukë nga skena politike. Ndjesa dhe më pas heshtja si e Edipit në arratinë brenda vetes do të ishte shëruese e gjithë historisë.
Nuk vlen asgjë sa miqësia dhe aleancat e Kosovës me vendet që e çliruan dhe pavarësuan atë.
Çdo gjë tjetër është kthim i ngadalshëm nën Serbi.
Nuk dëshiroj të përsëritet 10 korriku i 1945.
Serbia nuk e llogarit Kosovën, ajo do detin, i ka sytë te deti dhe, sa të jetë gjallë, do t’i ketë gjithmonë sytë te deti.
Nuk është luftë as trimëri me e qepë një flamur 10 mijë e 800 kilometra katrorë dhe me e mbuluar me të Kosovën. Nuk e mbrojmë Kosovën me flamur, as me parulla e brohorima, e as me birra pas proteste.
Gjithçka që po kurdiset kundër Gjykatës Speciale të Kosovës po bëhet për pushtetin e dikujt, jo për Kosovën e sigurinë e saj.
Nëse Shqipërinë në 1913 e miratuan edhe armiqtë e saj, Kosovën e kanë çliruar e pranuar vetëm miqtë e saj. Mos t’i dëbojmë miqtë e Kosovës e as Kosovën prej miqve që e çliruan, pavarësuan dhe po ia ruajnë sigurinë, për asnjë çmim. Mos të matemi me hijet.
Shpresoj e uroj të bëhet e të fitohet beteja juridike në apel e të mos grijmë sallatë bajate në sheshe, zyra e rrjete sociale.
