Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se sot do të nisin komunikimet me krerët e opozitës, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Kurti bëri të ditur se kontaktet me opozitën do të nisin menjëherë pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Deklaratën ai e bëri për KP, pas homazheve për ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ejup Statovci.
Kurti: Sot do të fillojmë komunikimet për takime me krerët e opozitës për çështjen e presidentit
“Posa të përfundojmë me takimin që kemi sot me presidenten e Komisionit Evropian, zonjën Ursula von der Leyen, menjëherë do të fillojmë komunikimet për takime me krerët e opozitës, në mënyrë që të mos jemi pa Kuvend më 7 tetor, por më së largu deri më 6 tetor ta kemi presidentin apo presidenten e re”, tha Kurti.
Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri përfundon më 6 tetor. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, sipas procedurave kushtetuese, vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja.
