ShowBizzz

Motra e Erion Zaloshnjës del kundër Eneda Tarifës, akuza të forta ndaj këngëtares

Një intervistë e mëhershme e kompozitorit Erion Zaloshnja është rikthyer në vëmendje pas disa komenteve të bëra nga motra e tij, Ilda Zaloshnja, e cila ka ngritur akuza ndaj ish-partneres së të vëllait, këngëtares Eneda Tarifa.

Erioni dhe Eneda kanë një vajzë, Aria, nga marrëdhënia e tyre shumëvjeçare. Gjatë një interviste në podcastin “Klo’s Friends” të Klotilda Harkës, kompozitori ka folur mes të tjerash edhe për të bijën. Pikërisht në komentet e videos ka reaguar motra e tij.

Ilda pretendon se familja Zaloshnja ka zgjedhur të heshtë për një kohë të gjatë, si për respekt të viteve që Eneda ka qenë pjesë e familjes, ashtu edhe për faktin se ajo është nëna e Arias. Megjithatë, këtë herë ajo ka bërë disa deklarata të forta për mënyrën se si, sipas saj, këngëtarja është kujdesur për vajzën gjatë viteve të para.

“Prej shumë kohësh familja jonë ka qëndruar në heshtje, në respekt të viteve të Enedës pranë nesh dhe të faktit që ajo është mamaja e Arias”, shkruan Ilda, përpara se të pretendonte se Eneda mungonte për periudha të gjata për shkak të angazhimeve dhe nuk ishte mjaftueshëm e pranishme në jetën e vajzës.

Më tej, ajo ka pretenduar se Aria është sot “e manipuluar keq nga nëna e saj”, duke shtuar se pasojat e kësaj situate, sipas saj, po i vuajnë si vajza, ashtu edhe Erioni. Bëhet fjalë për pretendime të Ilda Zaloshnjës, për të cilat në materialin e publikuar nuk paraqitet një reagim nga Eneda Tarifa.

Komentet e saj kanë sjellë edhe kundërshtime nga ndjekës të tjerë, të cilët e kanë konsideruar të panevojshme që një çështje familjare të diskutohet publikisht. Ilda është përgjigjur duke thënë se familja e saj ka heshtur mjaftueshëm dhe se tashmë ka ardhur momenti të flasë.

Në një tjetër koment, ajo është shprehur se fëmijët nuk duhet të përdoren si “armë” në raportet mes prindërve, pasi, sipas saj, janë ata që dëmtohen më shumë nga konfliktet. “Familja jonë ka mbajtur shumë përsipër e nganjëherë nuk duhet heshtur më!”, përfundon ajo.

Të Ngjashme