ShowBizzz

“Mu thafshin këmbët që hyra në Big Brother”/ Deklarata e fortë

Roza Lati ka folur hapur për eksperiencën e saj në edicionin e tretë të “Big Brother VIP Albania”, duke pranuar se pjesëmarrja në këtë format është një vendim për të cilin është penduar.

E ftuar në “Andale”, moderatorja u pyet për përplasjet që kishte pasur gjatë qëndrimit në shtëpi, veçanërisht me Romeo Veshajn dhe Julian Dedën.

E pyetur nëse vazhdon të ketë hatërmbetje ndaj tyre, Roza u përgjigj se nuk ruan asnjë ndjenjë negative.

“Jo, absolutisht nuk urrej asnjërin. Jam shumë rehat, s’e vras mendjen fare”, u shpreh ajo.

Biseda vijoi me pyetjen nëse kishte pasur pakënaqësi edhe ndaj produksionit apo moderatorit Ledion Liço pas daljes nga formati, siç ka ndodhur me disa ish-banorë.

“Ore, unë dola, ika në Vjenë. Ç’punë kam unë me ta?”, tha Roza, duke lënë të kuptohet se kishte zgjedhur të distancohej nga gjithçka që lidhej me eksperiencën televizive.

Megjithatë, pjesa më personale e rrëfimit erdhi kur moderatorja shpjegoi gjendjen emocionale në të cilën ndodhej përpara hyrjes në “Big Brother VIP”.

“Mua m’u thafshin këmbët që hyra kur isha në vitin tim më depresiv, sa më kishin ndërruar jetë dy qentë e mi… Kalova një abort, që fola për të, dhe kur dola jashtë mora vesh që ishte bërë zhurmë e madhe”, tregoi ajo.

Roza shpjegoi se vendimi për t’u bërë pjesë e spektaklit kishte ardhur pikërisht nga dëshira për t’u shkëputur nga periudha e vështirë që po kalonte.

“Hyra të hiqja mendjen. Brenda pastaj, u bëra pishman. Ta them, u bëra pishman”, pranoi moderatorja.

Me këtë rrëfim, Roza zbuloi se pas pjesëmarrjes së saj në një prej formateve më të ndjekura televizive qëndronte një periudhë e ngarkuar emocionalisht, ndërsa sot, ndonëse nuk ka hatërmbetje me ish-banorët apo produksionin, e sheh hyrjen në atë moment të jetës si një vendim që nuk do të donte ta kishte marrë.

Të Ngjashme