Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, në mbështetje të Ligjit për Ushqim dhe kompetencave për garantimin e sigurisë ushqimore, transparencës dhe gjurmueshmërisë në treg, ka nxjerrë vendimin për sistemin e detyrueshëm të raportimit digjital në sektorin e qumështit.
“Përmes këtij vendimi, qumështoret, pikat grumbulluese, përpunuesit dhe importuesit do të obligohen të raportojnë në mënyrë digjitale të dhëna mbi grumbullimin, prodhimin, stoqet, importet, si dhe përdorimin e qumështit pluhur dhe yndyrave bimore në produktet ushqimore”, thuhet në komunikatën e MBPZHR-së.
Tutje theksohet se sistemi do të forcojë transparencën në treg, gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore dhe bashkëpunimin institucional ndërmjet MBPZHR-së, AUV-it, Doganës dhe institucioneve tjera relevante.
“Ky është një hap i rëndësishëm në mbrojtje të konsumatorit, fermerëve vendorë dhe zhvillimit të një tregu më transparent, më të drejtë dhe më të kontrolluar në sektorin e qumështit në Republikën e Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.
