Lajme

Mujaj: Vota e diasporës nuk është reale, mbështetja për pushtetin vjen nga emocionet

Avokati, Muhamet Mujaj ka deklaruar se vota e diasporës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë nuk është reale, pasi sipas tij nuk bazohet në rezultate konkrete dhe të prekshme të qeverisjes.

Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Mujaj ka thënë se diaspora vazhdon ta mbështesë partinë në pushtet duke besuar se ajo po krijon kushte më të mira për qytetarët në Kosovë, megjithëse, sipas tij, mungojnë përfitimet e dukshme për vetë diasporën.

“Absolutisht nuk është reale vota e diasporës, sepse duhet të jetë i prekshëm rezultati. Cili është ai rezultat dhe çfarë ka bërë partia në pushtet për diasporën? Kjo është pyetja”, ka deklaruar Mujaj.

Ai ka theksuar se diaspora nuk e përjeton përditshmërinë e qytetarëve që jetojnë në Kosovë, pasi shumica e mërgimtarëve qëndrojnë në vend vetëm për periudha të shkurtra gjatë vitit.

“Diaspora vjen dhe qëndron një muaj ose dy javë në Kosovë, por nuk e jeton jetën që e jetojmë ne çdo ditë”, është shprehur ai.

Mujaj ka shtuar se kritika e tij nuk i drejtohet vetëm një subjekti politik, por të gjitha partive.

Megjithatë, ai ka kujtuar se partia në pushtet kishte premtuar ndryshime të mëdha në shumë sektorë, përfshirë edhe çështjet që lidhen me diasporën.

I pyetur se pse diaspora vazhdon t’i japë mbështetje të madhe Lëvizjes Vetëvendosje, Mujaj ka thënë se arsyeja kryesore është aspekti emocional.

“Është prekur ana emocionale. Të jetosh nga distanca krijon një lloj emocionaliteti dhe për këtë arsye është prekur ana emocionale e diasporës”, ka përfunduar ai.

 

Të Ngjashme