Ministria e Financave ka njoftuar se ka pranuar nga Prokuroria njoftimin se është hedhur poshtë kallëzimi penal i bërë nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës, me pretendimin se Ministria e Financave kishte bllokuar buxhetin e komunës.
Sipas Ministrisë, kjo dëshmon se pretendimet e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës ishin të pavërteta dhe se stafi i Ministrisë së Financave kishte vepruar në përputhje me ligjin.
“Ministria e Financave ka pranuar njoftimin nga prokuroria se është hedhur poshtë kallëzimi penal i bërë nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës me pretendimin e pabazë se Ministria e Financave kishte bllokuar buxhetin e komunës”, thuhet në njoftim.
Ministria ka theksuar se Komuna e Prishtinës ishte vonuar në dorëzimin e buxhetit për vitin 2025, duke e dorëzuar atë disa muaj pas afatit ligjor dhe pasi Ligji i Buxhetit ishte miratuar nga Kuvendi.
“Kjo vonesë e Komunës kishte rezultuar në mos-përfshirje të buxhetit komunal në Ligjin e Buxhetit, gjë që kishte pamundësuar alokimin dhe shfrytëzimin e plotë të buxhetit komunal në këtë rast”, ka deklaruar Ministria e Financave.
Sipas Ministrisë, udhëheqësia e Komunës së Prishtinës kishte ngritur akuza ndaj stafit të Ministrisë për “gjoja bllokim të qëllimshëm të buxhetit”, për çka kishte dorëzuar edhe kallëzim penal.
“Ministria e Financave mirëpret epilogun e kësaj çështjeje që vërteton se akuzat ndaj stafit të Ministrisë ishin të pabaza, dhe njëkohësisht rikonfirmon përkushtimin që të vazhdojë punën profesionale”, thuhet në njoftim.
Murati: Nuk kishte kurrfarë bllokimi të buxhetit
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar në Facebook pas njoftimit të Prokurorisë.
“Prokuroria ka hedhur poshtë kallëzimin penal të Komunës së Prishtinës për gjoja bllokim të buxhetit në vitin e kaluar”, ka shkruar Murati.
“Vërtetohet se nuk kishte kurrfarë bllokimi të buxhetit nga Ministria e Financave”, ka deklaruar ai.
