Skënder Musa ka vlerësuar se fushata për zgjedhjet e ardhshme pritet të jetë më e ashpër se në proceset e kaluara zgjedhore, duke fajësuar gjuhën polarizuese që, sipas tij, po dominon skenën politike në vend.
Ai deklaroi se partitë politike kanë kuptuar se retorika përçarëse po sjell më shumë mbështetje elektorale sesa prezantimi i programeve konkrete qeverisëse.
“Fushata elektorale do të jetë më e ashpër se herëve të kaluara, për shkak se partitë politike e kanë parë që më tepër po ka vota gjuha polarizuese sesa programet zgjedhore. Kjo është dëshmuar në këto tri palë zgjedhjet e fundit që patëm. Ato parti që fare s’kanë pasur programe kanë kaluar më mirë se partitë që kanë bërë përpjekje për programe politike”, tha Musa në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Sipas tij, fushata tashmë ka nisur me tensione të mëdha politike dhe me një gjuhë që rrezikon ta thellojë edhe më shumë ndarjen në shoqëri.
“Fushata ka filluar ashpër, uroj të mos vazhdojë me këtë intensitet dhe me këtë gjuhë kaq polarizuese dhe me nda edhe ma tepër popullin, pasi që veç shoqëria mjaft është e ndarë në mënyrë radikale. Krejt kjo bëhet qëllimisht, që të mos flitet për dështimet e krijimit të institucioneve, dështimeve në ekonomi dhe në të gjitha aspektet dhe sferat e jetës”, deklaroi ai. /teve1.info/
