Lajme

Musa: Opozita duhet ta ndalojë shkatërrimin e rendit kushtetues nga VV-ja

Avokati Skender Musa ka vlerësuar se partitë opozitare në Kosovë duhet të ndërmarrin hapa më aktivë për të, siç ka thënë ai, parandaluar cenimin e rendit kushtetues dhe vendosjen e një pushteti “jodemokratik dhe uzurpues” nga Lëvizja Vetëvendosje.

Duke komentuar krizën aktuale politike dhe përplasjet e sotme mes deputetëve në Kuvendin e Kosovës, Musa ka thënë se pret që opozita të jetë më aktive në ditët në vijim.

Sipas tij, opozita nuk duhet ta kufizojë veprimtarinë e saj vetëm në deklarata publike dhe rrjete sociale.

“Duke pasur parasysh se këtu është sulmuar dhe cenuar rendi kushtetues i Republikës së Kosovës dhe Kosova është pa institucione legale dhe me institucione në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në Kosovë, sepse tashmë nuk kemi as ushtrues detyre të presidentit, as të kryeministrit, as ministra, do të thotë të gjithë janë në mënyrë të paligjshme, prandaj bërja opozitë vetëm përmes rrjeteve sociale dhe deklaratave të dobëta në mjetet e informimit nuk kryen punë me një parti politike e cila haptas tregon tendenca që ka për ta bërë ndryshimin e rendit kushtetues dhe marrjen e të gjitha institucioneve dhe krijimin e një qeverie të tipit jo demokratik”, ka deklaruar Musa në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Musa e ka cilësuar situatën aktuale si shqetësuese dhe ka kërkuar që opozita, përfshirë LDK-në, të marrë, sipas tij, një rol më aktiv në mbrojtje të rendit kushtetues.

“Unë pres që opozita, duke përfshirë edhe LDK-në, ta marrë rolin e saj kushtetues dhe të parandalojë shkatërrimin e rendit kushtetues, i cili tashmë ka hyrë në veprim fuqishëm, për shkak se qe dy vite vazhdon të jetë qeveri në detyrë”, ka thënë Musa.

Duke iu referuar përplasjeve të sotme në Kuvend, ai ka deklaruar se ato mund të jenë vetëm fillimi i një aktivizimi më të madh politik të opozitës.

“Skenat e sotme janë vetëm një fillim, është një aktivizim i opozitës. Qartazi deputetët e VV-së edhe ata të krijojnë situata të tilla, mirëpo opozita duhet ta luajë rolin e saj kushtetues. Është opozita ajo që duhet të thotë më fuqishëm që Kosova është në prag të shkatërrimit kushtetues dhe vendosjes së një regjimi tjetër dhe është opozita ajo që duhet ta ndalojë këtë”, është shprehur Musa.

Ai ka shtuar se numri i deputetëve nuk duhet të jetë pengesë për veprim politik dhe institucional të opozitës.

“Nuk mund të thirret në numra të deputetëve, sepse ka parti opozitare me numra edhe më pak në shtete të ndryshme që krijojnë rezistenca të tilla dhe e mbrojnë sistemin juridik dhe politik”, ka përfunduar Musa.

 

Të Ngjashme