Lajme

Musliu denoncon një polic në IPK, e akuzon për sulm fizik në sallën e Kuvendit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka njoftuar se ka bërë kallëzim në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), duke kërkuar hetim ndaj një zyrtari policor, për të cilin pretendon se e ka cenuar fizikisht në vendin e saj të punës, në sallën e seancës plenare të Kuvendit.

Musliu ka thënë se, si anëtare e Komisionit Parlamentar për Siguri për 15 vjet, ka punuar për një Polici profesionale, të depolitizuar dhe me integritet, ndaj, sipas saj, nuk mund të heshtë përballë një rasti të tillë.

Ajo ka theksuar se reagimi i saj nuk ka për qëllim vetëm mbrojtjen personale, por edhe mbrojtjen e institucionit të Policisë së Kosovës dhe integritetit të tij.

“Ky reagim nuk bëhet për të mbrojtur veten time, por, para së gjithash, për të mbrojtur institucionin e Policisë së Kosovës dhe integritetin e tij, në mënyrë që Policia të mos rrëshqasë në urdhrat dhe ndikimet e asnjë partie politike”, ka shkruar Musliu në Facebook.

Sipas saj, bashkë me deputeten Vlora Çitaku, kanë kërkuar që përveç veprimeve të policit të hetohet edhe rrethana se kush e ka ftuar Policinë në sallën e seancës plenare.

Ajo ka pretenduar se, sipas rregullave të procedurës së seancës konstituive, autoriteti që mund ta ftojë Policinë në sallë, nëse paraqitet nevoja, është mandatar-i për udhëheqjen e seancës, duke iu referuar në këtë rast Avni Deharit.

“Ky është një informacion që duhet ta dijë jo vetëm Kuvendi, por edhe opinioni publik. Në një seancë konstituive, ku Kuvendi ende nuk është konstituuar, duhet të jetë e qartë se kush ka autorizuar praninë dhe ndërhyrjen e Policisë brenda sallës. Sipas rregullave të procedurës së seancës konstituive, i vetmi autoritet që mund ta ftojë Policinë në sallë nese paraqitet nevoja është mandatar-i për ta udhëhequr seancën, Ne rastin konkret z. Avni Dehari, atëherë kjo duhet të sqarohet publikisht. Kush e ka dhënë urdhrin? Kush e ka ftuar Policinë? Dhe mbi çfarë baze është ndërhyrë në sallën e Kuvendit? Këto nuk janë pyetje personale. Janë pyetje për përgjegjësinë institucionale. Sepse kur Policia hyn në sallën e Kuvendit dhe një deputet cenohet fizikisht, nuk mjafton të hetohet vetëm polici që ka kryer veprimin. Duhet të hetohet edhe zinxhiri i përgjegjësisë dhe urdhrit që e solli Policinë aty”, ka deklaruar ajo.

Musliu ka përsëritur se Policia e Kosovës duhet t’i shërbejë ligjit dhe Republikës së Kosovës dhe jo urdhrave politikë.

“Prandaj, i bëj thirrje çdo polici dhe çdo shërbyesi civil në Republikën e Kosovës që t’i qëndrojë besnik ligjit, Kushtetutës dhe detyrës së vet profesionale, e të mos i nënshtrohet asnjë diktati, presioni apo urdhri politik që cenon pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të shtetit”, ka përfunduar ajo./teve1.info/

Të Ngjashme