Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka komentuar paralajmërimet për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, duke thënë se çështja e veriut dhe e urës, sipas saj, përdoret vazhdimisht nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si temë politike, veçanërisht në prag të zgjedhjeve.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Musliu-Shoshi ka deklaruar se për PDK-në këto zhvillime nuk përbëjnë risi, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se është rritur politikisht përmes propagandës.
“Çështja e hapjes së urës dhe çështja e veriut, që bëhet vazhdimisht temë e Albin Kurtit sa herë që zgjedhjet në këtë vend janë afër, për ne si PDK nuk është asnjë risi, sepse ai është rritur dhe vazhdon të rritet vetëm me propagandë. Ajo që është e vërteta në këtë vend është se Kosova është shtet sovran dhe i ka pikat kufitare edhe në pjesën veriore. Ato nuk janë te Ura e Ibrit, por janë në Jarinjë”, ka deklaruar ajo.
Deputetja e PDK-së ka komentuar edhe pretendimet se Vetëvendosje ka “çliruar veriun”, duke i cilësuar ato si pjesë të propagandës politike të kësaj partie.
“Eksponentë të VV-së thonë sepse ata janë rritur me propagandë dhe vazhdojnë me propagandë. Vazhdon që veriun ta kenë kauzë, mirëpo Kosova, Republika jonë, i ka kufijtë e qartë qoftë në veri, qoftë në jug, qoftë në lindje e qoftë në perëndim”, është shprehur Musliu-Shoshi.
Ajo ka thënë se veriu nuk është bërë pjesë funksionale e Republikës vetëm pas ardhjes së Kurtit në pushtet, duke vlerësuar rolin e institucioneve të Kosovës dhe të aleatëve ndërkombëtarë në shtrirjen e rendit kushtetues në atë pjesë të vendit.
“Mirë, policia e Kosovës gjithmonë e ka pasur përgjegjësinë që të jetë në pjesën veriore dhe të funksionojë atje. Kemi pasur edhe uniformat e Kosovës, kemi pasur edhe organe me stemën e Republikës që kanë funksionuar në veri. Nuk është veriu që, siç erdhi Albin Kurti, u çlirua”, ka thënajo.
Sipas Musliu-Shoshit, veriu mbetet një nga pjesët më të ndjeshme të territorit të Kosovës dhe përparimi në këtë drejtim është arritur gradualisht me ndihmën e aleatëve ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane.
Ajo ka mirëpritur deklarimet e aleatëve ndërkombëtarë lidhur me përmirësimin e situatës së sigurisë dhe mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit.
“Çdo lajm pozitiv nga shtetet mike, aleate, të cilat veprojnë në Republikën tonë, për ne është lajm i mirëseardhur”, ka përfunduar Musliu-Shoshi./teve1.info/
