Lajme

Mustafa: Rikthimi i Osmanit në LDK mund të ndikojë në elektoratin e VV-së

Ekrem Mustafa, pjesë e listës së Vjosa Osmani në Lidhja Demokratike e Kosovës, ka vlerësuar se rikthimi i Osmanit në LDK mund të ndikojë në elektoratin e Lëvizja Vetëvendosje, pasi sipas tij një pjesë e madhe e votuesve të LDK-së në vitin 2021 kishin kaluar drejt VV-së pikërisht për shkak të Osmanit.

Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1 ka thënë se Osmani pritet të jetë faktor i rëndësishëm në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen më 7 qershor.

“Elektorati i Vjosës ka shkuar në Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2019. 25 për qind i ka pasur LDK-ja dhe 26 për qind i ka pasur Vetëvendosje, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2021 u krijua binomi Vjosa–Albin dhe erdhi edhe rezultati prej 50 për qind, ndërsa LDK u kthye në 13 për qind. Tani është një momentum krejt tjetër, sepse Vjosa Osmani është akter në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa në zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk ka qenë aktere”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse ka përçarje brenda LDK-së pas ardhjes së Osmanit, Mustafa ka mohuar një gjë të tillë.

“Nuk mund të them se ka përçarje brenda LDK-së. Të gjithë ata që nuk kanë qenë prezent atë ditë në këshill kanë pasur sigurisht arsyet e tyre, mirëpo besoj që të gjithë do të jenë pjesë e listës së LDK-së”, është shprehur Mustafa.

Të Ngjashme