Rreth 130 krijime të stilistit të ndjerë Pierre Cardin do të ekspozohen në pallatin e tij në Venecia, në një muze të ri që synon të rikthejë vëmendjen te vizioni i tij novator dhe futurist.
Muzeu, që hapet me 13 shtator, ndodhet në Palazzo Bragadin, rezidenca ku Cardin jetoi për gati 40 vjet. Hapja do të shoqërohet me një ballo me kostume.
Cardin, stilisti francez me origjinë italiane, ndërroi jetë në vitin 2020, në moshën 98-vjeçare. Ai u bë i famshëm në vitet ’60 me modelet uniseks dhe frymëzimin nga epoka e hapësirës. Fustanet e shkurtra me forma gjeometrike, prerjet e pazakonta dhe përdorimi i materialeve sintetike e shndërruan në një prej figurave më moderne të modës.
Nipi i tij, Rodrigo Basilicati-Cardin, tha se pallati i Venecias ishte vendi ku stilisti tërhiqej për të pushuar dhe për të gjetur frymëzim të ri. Në hapësirën prej afro 1000 metrash katrorë janë vendosur rreth 130 veshje, të krijuara nga viti 1951 deri në 2018.
Ekspozita përfshin modele të ndryshme, nga një tunikë e gjelbër e vitit 1971 me prerje anësore, deri te një fustan mbrëmjeje prej kadifeje të zezë, i vitit 1991, me një trëndafil të madh prej taftaje.
Cardin besonte se veshjet duhej të ishin si skulptura dhe i konsideronte ato struktura arkitekturore. Ai ishte gjithashtu minimalist dhe synonte që një fustan të njihej menjëherë, edhe nga larg.
Një rastësi historike lidhet me suksesin e tij të hershëm. Në vitin 1951, pak pasi kishte hapur shtëpinë e tij të modës, Cardin mori nga Christian Dior porosinë për të krijuar rreth 30 kostume për një ballo të famshme në Venecia. Me vetëm gjashtë punonjës, ai realizoi kostumet, përfshirë ato për Salvador Dalinë dhe miqtë e tij.
Për më shumë se 60 vjet, Renee Taponier punoi me Cardin. “Ai ishte një njeri që kërkonte shumë, por që na dha shumë gjithashtu”, tha ajo.
