Çmimet e derivateve në Kosovë vazhdojnë të jenë të larta, me një litër dizel që po shitet deri në 1.97 euro. Ekspertët paralajmërojnë se lëvizjet në tregjet ndërkombëtare dhe tensionet në Lindjen e Mesme mund të ndikojnë edhe më tej në çmimet në tregun vendor.
Çmimet e derivateve në Kosovë po vazhdojnë të mbeten në nivele të larta, ndërsa zhvillimet në tregjet ndërkombëtare po krijojnë pasiguri për atë se si do të lëvizin ato në ditët në vijim.
Sipas ekspertit të derivateve, Fadil Berjani, aktualisht një litër dizel po shitet rreth 1.95 deri në 1.97 euro, ndërsa benzina rreth 1.65 euro për litër.
Berjani thotë se, në rrethanat aktuale, është e vështirë të parashikohet se si do të lëvizin çmimet në ditët në vijim, për shkak të lëvizjeve të mëdha në tregjet ndërkombëtare dhe në bursat e naftës.
“Çmimet e naftës dhe benzinës sillen përafërsisht: dizeli 1.95 euro, benzina 1.65 euro. S’mundemi me paragjyku se çfarë çmime do t’i kemi në ditët në vijim, sepse po ka lëvizje të mëdha në tregjet ndërkombëtare dhe në bursë. Dhe situata e tensionuar në Iran po reflekton në këto çmime”.
Rritja e çmimeve të derivateve ka rikthyer në vëmendje edhe barrën fiskale që përfshihet në çmimin që konsumatori paguan në pompë.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, akciza dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga derivatet i kanë sjellë buxhetit të Kosovës mbi gjysmë miliardi euro, përkatësisht rreth 360 milionë euro nga akciza dhe 157 milionë euro nga TVSH-ja.
Me rritjen e çmimeve, përfaqësues të industrisë së naftës dhe bizneseve kanë kërkuar që Qeveria të heqë dorë përkohësisht nga një pjesë e këtyre të hyrave, në mënyrë që të lehtësohet barra për konsumatorët.
Megjithatë, mbetet çështje e debatueshme nëse një ulje e taksave do të reflektohej automatikisht në uljen e çmimeve në pompa.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka kërkuar ndërhyrjen e Qeverisë, duke argumentuar se shtrenjtimi i karburanteve nuk prek vetëm shoferët.
Sipas DHTIK-ut, rritja e çmimit të derivateve shton kostot e bizneseve dhe mund të reflektohet më pas edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve.
“Rritja e çmimeve të derivateve të naftës ka pasur ndikim të madh në ngritjen e vazhdueshme të çmimeve të konsumit, kostos së ndërtimit dhe çmimeve të prodhimit”.
Sipas tyre, një nga arsyet e mungesës së një ndërhyrjeje mund të jetë pesha që TVSH-ja dhe akciza kanë në të hyrat e buxhetit.
“DHTIK kërkesat për marrjen e masave lehtësuese ua ka dërguar zyrtarisht Qeverisë, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ditë më parë ka treguar se po monitoron nga afër tregun, ndërsa ministrja Mimoza Kusari-Lila thotë se shkak për rritjen janë zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Kusari-Lila tha se vendimi për përcaktimin e çmimit maksimal ishte hequr për shkak të tejkalimit të afatit të përcaktuar me udhëzimin administrativ.
Ad
“Arsyeja e heqjes së vendimit për caktimin e çmimit maksimal ka qenë tejkalimi i afatit në udhëzimin administrativ që e përcakton vendosjen e çmimit maksimal, afat ky i cili ka qenë 90 ditë, ndërsa ne kemi përcaktuar çmimin maksimal për 150 ditë, duke e parë rëndësinë edhe peshën e këtij vendimi”.
Sipas saj, rritja e çmimeve është ndikuar nga zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe jo nga ndryshimet në tregun e brendshëm.
“Rritja e çmimit nuk ka ndodhur si rrjedhojë e heqjes së vendosjes ose përcaktimit të çmimit maksimal, por ka ardhur si rrjedhojë e përkeqësimit të situatës në Lindjen e Mesme, sulmeve të vazhdueshme. Me një situatë të tillë po përballen tashmë të gjitha vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Evropian edhe më gjerë”.
Ligji për tregtinë me produkte të naftës përcakton si rregull që çmimet caktohen nga tregu i lirë, por lejon ndërhyrje për mbrojtjen e konsumatorëve dhe konkurrencës, apo në rast të çrregullimeve në treg.
