Lajme

Nagavci reagon pasi Zemaj e quajti “hajnesh”: Fyerjet dhe agresiviteti nuk kanë vend në debat politik

Ish-ministrja e Arsimit, njëherësh deputete e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas deklaratës së deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, i cili gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës iu drejtua asaj me fjalët: “Hajnesh, ktheji paratë e librave”.

Përmes një postimi në Facebook, Nagavci e ka cilësuar të papranueshme gjuhën dhe sjelljen e Zemajt, duke theksuar se fyerjet nuk kanë vend në një institucion ku duhet të mbizotërojnë argumentet, përgjegjësia dhe respekti.

Ajo ka thënë se kjo nuk është hera e parë që deputeti shfaq sjellje të tilla, duke i cilësuar ato si të përsëritura dhe dëshmi të mungesës së kulturës së debatit, edukatës dhe respektit për qëndrimet ndryshe.

Sipas Nagavcit, një gjuhë e tillë përcjell mesazh të gabuar në shoqëri, veçanërisht te brezat e rinj, pasi rrezikon normalizimin e fyerjeve dhe agresivitetit si mënyrë e debatit politik.

Ajo ka theksuar se përkushtimi i grave për të përfaqësuar qytetarët, për të mbrojtur qëndrimet e tyre dhe për të ushtruar përgjegjësitë institucionale nuk mund të cenohet nga fyerjet apo përpjekjet për frikësim.

Postim i plotë:

Gjuha dhe sjellja e përdorur sot nga deputeti Armend Zemaj në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë të papranueshme dhe nuk kanë vend jo vetëm në një institucion ku duhet të mbizotërojnë argumenti, përgjegjësia dhe respekti, por askund.

Kjo nuk është hera e parë që Armend Zemaj shfaq një sjellje të tillë. Agresiviteti dhe gjuha fyese janë sjellje të përsëritura, që dëshmojnë mungesë të kulturës së debatit, të edukatës dhe të respektit për qëndrimet ndryshe.

Një gjuhë e tillë përcjell një mesazh të gabuar në shoqëri dhe jep një shembull të keq, veçanërisht për brezat e rinj, duke rrezikuar normalizimin e fyerjes dhe agresivitetit si mënyrë e debatit politik.

Përkushtimi i secilës grua për të përfaqësuar qytetarët, për të mbrojtur qëndrimet e saj dhe për të ushtruar përgjegjësitë institucionale nuk mund të cenohet nga fyerjet apo përpjekjet për frikësim.

Më vjen keq për atë që është e çfarë përfaqëson, por nuk na ndal e as na intimidon. Jo me fjalë fyese, jo me shpifje, jo me sulme rrugaçërie. Gratë në politikë nuk kanë nevojë për lejen e askujt për ta ngritur zërin, për të mbajtur qëndrime dhe për të ushtruar mandatin e tyre me dinjitet.

Debati politik duhet të zhvillohet me argumente, jo me fyerje e frikësim.

Të Ngjashme