ShowBizzz

Ndahet nga jeta Giorgos Mazonakis, çfarë dihet për orët e fundit të tij

Këngëtari i njohur grek Giorgos Mazonakis ka ndërruar jetë këtë të mërkurë, 9 shtator, në moshën 54-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga mediat greke, ndërsa shkak i vdekjes raportohet të ketë qenë një arrest kardiak.

Sipas ERT, Mazonakis ishte paraqitur rreth një orë më herët te një kardiolog privat, i cili kishte konstatuar seriozitetin e gjendjes së tij dhe kishte kërkuar menjëherë ndërhyrjen e shërbimit të urgjencës.

Këngëtari u transportua me ambulancë drejt spitalit “Elpis” në Athinë dhe u dërgua në repartin e kardiologjisë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta reanimuar, ai nuk mundi të mbijetonte.

Mazonakis ishte një nga emrat më të njohur të muzikës greke gjatë më shumë se tri dekadave karrierë. I lindur në vitin 1972 në Nikaia, ai nisi të performonte profesionalisht në fillim të viteve ’90 dhe publikoi albumin e tij të parë në vitin 1993.

Gjatë karrierës së tij ai krijoi një repertor të gjerë dhe pati një prani të vazhdueshme në skenën muzikore greke, duke performuar jo vetëm në Greqi dhe Qipro, por edhe për komunitetet greke jashtë vendit.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta u bë publik pasditen e së mërkurës dhe brenda pak minutash u raportua nga disa prej mediave kryesore greke.

Të Ngjashme